Serbia nis vaksinimin me kryeministren Ana Brnabić, ka siguruar 4,875 doza të Pfizer/BioNTech

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabić u vaksinuar e para duke filluar fushatën e vaksinimit kundër Covid-19. Deri tani Serbia ka siguruar rreth 5 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BioNtech dhe sipas kontratës do të marrë çdo muaj 80 mijë doza. Më vonë pritet edhe miratimi i vaksinës ruse dhe kineze.

Vaksinimi në Serbi filloi me kryeministren e vendit Ana Brnabić. Ajo ishte e pranishme për procedurën në Institutin Torlak, duke fiksuar kështu zyrtarisht fushatën në vend. Më pas u vaksinua edhe ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Veteranëve, Darija Kisić Tepavčević.

Të martën Serbia mori 4,875 dozë të vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BioNtech. Pas ceremonisë simbolike të vaksinimit të kryeministres, fushata do të vazhdojë në shtëpitë e kujdesit për të moshuar.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka theksuar domosdoshmërinë e vaksinimit të atyre që janë më të rrezikuar.

“Është e rëndësishme që të mbrojmë këta njerëz, më shumë se 80 për qind e personave që kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm janë të moshuar dhe ata janë më të rrezikuarit”, thaVuçiç.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, me dozat e tjera të vaksinës që pritet të arrijnë në javët e ardhshme, do të vaksinohen punëtorët e kujdesit shëndetësor.

Serbia ka nënshkruar një kontratë për marrjen e 80,000 doza çdo muaj, mjaftueshëm për të vaksinuar 40,000 vetë, meqë vaksina duhet marrë dy doza brenda disa ditëve. Ndonëse Serbia nuk ka miratuar ende përdorimin e vaksinave, ky shtet pritet të përdorë edhe vaksinën e prodhuar nga Rusia, Sputnik V dhe atë të Kinës, Sinopharm.

Vaksina e kompanive Pfizer/BioNTech është miratuar në Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada dhe Izrael. Përdorimi i saj pritet të nisë edhe në Bashkimin Europian më 27 dhjetor.

Autoritetet serbe deri më tani kanë regjistruar mbi 300 mijë raste infektimesh dhe 2,800 viktima si pasojë e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.