Ngrihet Gjykata Kushtetuese, Presidenti Meta dekreton Përparim Kalon si anëtar të 6-të
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar brenda ditës, kur iu propozua, anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, duke e kthyer sërish në funksionale pas më shumë se dy vitesh bllokim.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në mesditë, propozoi emrin e Përparim Kalos me 90.29 pikë dhe Aleksandër Toma 75.5 pikë për vakancën e Kujtim Lulos.
Menjëherë pas marrjes së shkresës Kreu i Shtetit përzgjedhi emrin e parë në listë.
Tashmë me emërimin e Kalos trupa krijohet e plotë për marrjen në shqyrtim dhe marrjen e vendimeve.
Tashmë procedura në KED vazhdon dhe për anëtarin e shtatë, kjo me vakancën e krijuar pas largimit të Besnik Muçit. Sërish kjo e drejtë përzgjedhje i kalon presidentit.
Gjykata Kushtetuese duhet të ketë 9 gjyqtarë, 3 anëtarë, përfshirë dhe pozicionin e Vitore Tushës që i ka përfunduar mandati, duhet të plotësohen nga Gjykata e Lartë. Por edhe ky institucion mbetet thuajse i bllokuar pasi duhet të ketë 17 anëtarë që të nisin procesin e propozimeve në KED.
