Franca rihap kufijtë me Britaninë

Franca ka vendosur të lejojë lëvizjen e qytetarëve nga toka, ajri dhe kufiri detar me Britaninë e Madhe me kushtin që ata të rezultojnë negativë në testin e covid-19  në 72 orët e fundit.

Kolona kilometrike me maune dhe automjete qëndrojnë  prej së dielës midis dy fqinjëve si pasojë e bllokadës franceze nga një variant i ri i koronavirusit që po qarkullon në Angli.

Në orët e vona të së martës, Parisi dhe Londra arritën marrëveshje për të rihapur hyrje-daljet shtetërore, si edhe për të zhbllokuar rrugët e transportit të mallrave.

Këputja 48-orëshe e zinxhirit të furnizimit u vlerësua si problemi më urgjent nga palët, kur banorët e të dy e më shumë vendeve europiane po përgatiten të festojnë fundvitin.

Mbi  50 shtete kanë ndërprerë linjat e udhëtimit me Britaninë deri në javët e para të janarit me arsyen për të mbrojtur popullatën e tyre nga mutacioni i ri i koronavirusit që ka nisur të përhapet.

Varianti ri transmetohet 70 për qind më shpejt sesa ai i njohur deri tani dhe mësohet se ka depërtuar të katërta zonat me kufizime që autoritetet britanike kanë ngritur për shkak të covid-19.

Të martën, Britania raportoi gati 700 viktima të tjera për shkakk  të sëmundjes infektive dhe qeveria po mendon masa drastike karantine edhe për Vitin e Ri.

Komisioni Europian ka këshilluar të shmangen udhëtimet nga andej, dhe në rast kthimi, personat të kryejnë testin e covid  ose të vetëkarantinohen për 10 ditë.