Trump kritikon paketën 900 mld dollarë

Paketa financiare për efektet e covid-19 në Amerikë parashikon mjaft para për vendet e treta, lobistët dhe interesa të veçanta, sesa për qytetarët dhe bizneset amerikane. Me këto akuza, presidenti i vendit, Donald Trump, ka kërkuar që ajo të ndryshohet ose ai nuk do e firmosë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar Kongresit të rritë stimujt financiarë për amerikanët, ndryshe nuk do e firmosë paketën që i është propozuar në kushtet e pandemisë.

Të hënën, ligjvënësit e të dy krahëve politikë miratuan 900 miliardë dollarë fonde për të ndihmuar taksapaguesit dhe sektorët më të goditur nga efektet e covid-19.

Paketa parashikon 600 dollarë për shumicën e amerikanëve por Trump tha të martën se kjo vlerë duhet rritur në 2 deri 4 mijë dollarë për çift, të parashikohen më shumë përkrahje për bizneset e vogla dhe të sakrifikohen projektet e huaja që ai i konsideroi të papërshtatshme.

"Paketa përmban 85 milionë dollarë asistencë për Kamboxhën, 134 milionë për Burmën, 1,3 miliard dollarë për Egjiptin dhe ushtrinë e tij, që pa dyshim do i shpenzojë për armatime ruse, 25 milionë për programet e demokratizimit të Pakistanit, mbi 1 miliard dollarë për muzetë dhe galeritë e artit të Uashingtonit. I kërkoj Kongresit të eliminojë menjëherë zërat e panevojshëm, ose paketa për zbutjen e efekteve të covid-19 do i mbetet ta kalojë administrata tjetër."

Paketa nuk i është dërguar ende presidentit për firmosje, por nëse ai do të refuzojë ta nënshkruajë deri ditën e hënë, do shkaktojë edhe mbylljen e dikastereve të qeverisë pasi ato do rrezikonin të humbnin 1,4 trilionë dollarë fonde që janë pjesë e një paketë më të gjerë.

Kryetarja e opozitës në Kongres tha se pagesa për amerikanët mund të rishikohet këtë javë.

Me humbjen e zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor, presidenti Trump largohet nga detyra më 20 janar për t'ia kaluar pushtetin rivalit demokrat, Xho Biden.

Biden, një ditë më parë, deklaroi se paketa aktuale duhet konsideruar vetëm si e pjesshme sepse ai mendon të propozojë një paketë më të madhe financiare që muajin e ardhshëm.

Ndërsa vendi vijon fushatën e vaksinimit për më të rrezikuarit, pandemia e covid-19 u ka marrë jetën mbi 320 mijë amerikanëve dhe mbi 18 milionë të tjerë e kanë luftuar atë.