Francë, vriten 3 xhandarë dhe plagoset një tjetër
Tragjedi në Francë. Tre oficerë policie u qëlluan për vdekje ndërsa po trajtonin një rast të dhunës në familje. Ata u qëlluan nga një 48 vjeçar që më pas u gjet i vdekur në makinën e tij. Presidenti Emmanuel Macron tha se mbarë kombi ndan dhimbjen me familjet e oficerëve të vrarë.
Tre oficerë policie u qëlluan për vdekje në Francën Qendrore dhe një i katërt u plagos ndërsa ju përgjigjën një rasti të dhunës në familje.
Oficerët u qëlluan nga një 48-vjeçar që më pas u gjet i vdekur, tha ministri i Brendshëm Gérald Darminin.
"Tragjedia na ka prekur të gjithëve dhe mbarë vendin. Ndaj dhimbjen e të dashurve të tyre, kolegëve dhe siguroj mbështetjen time të patundur," tha kryeministri Jean Castex në Twitter.
Presidenti Emmanuel Macron tha se mbarë kombi ndan dhimbjen me familjet e oficerëve të vrarë.
Policia ishte duke punuar për të shpëtuar një grua e cila për t’u mbrojtur ishte ngjitur në çatinë e shtëpisë.
Dy prej policëve u qëlluan nga i dyshuari ndërsa përpiqeshin të shpëtonin gruan; njëri u vra menjëherë ndërsa tjetri u plagos.
Më pas i dyshuari i vuri flakën shtëpisë. Dy oficerë të tjerë policie u qëlluan nga i dyshuari që ishte i armatosur rëndë, ndërsa i afroheshin shtëpisë.
Zjarrfikësit ishin në gjendje të afroheshin vetëm disa minuta më pas, i tha një burim agjencisë së lajmeve AFP. Forcat elitë dhe zjarrfikësit vijuan të qëndrojnë në vendin.
Tre oficerët e policisë që mbetën të vdekur ishin të moshës 21, 37, dhe 45, njoftoi më pas Ministria e Brendshme.
Gruaja u shpëtua më pas dhe u morr në pyetje. Sulmuesi ishte një person i njohur për policinë në lidhje me çështjen e kujdestarisë së fëmijëve, ndërsa konflikti i fundit sipas televizionit BFM filloi për mos pagesën e detyrimit financiar për fëmijët nga i dyshuari.
Sulmet me armë zjarri ndaj policisë janë shumë të rralla në Francë.