Çuçi në shtëpinë e Klodianit, familja Rasha i kërkon drejtësi për të birin e vrarë nga polici
Familja e Klodian Rashës i bën sërish thirrje shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë të zbardhin të plotë vrasjen e të riut nga dora e efektivit të policisë "Shqiponja". Kërkesa iu paraqit ministrit të ri të Brendshëm Bledi Çuçi, i cili të dielën vizitoi të afërmit e të riut për ti shprehur ngushëllimet e tij.Për herë të parë te familja e viktimës shkuan dhe zyrtarët më të lartë të policisë së shtetit dhe të SHÇBA.
Familja e 25-vjecarit, Klodian Rasha, i cili u ekzekutua nga efektivi i policisë "Shqiponja" më 8 dhjetor, ka shfrytëzuar vizitën e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi për të kërkuar drejtësi për ngjarjen e rëndë.
Në vizitën e ministrit të ri që ka zgjatur për 15 minuta, familjarët i kanë kërkuar Bledi Çuçit dhe drejtuesve të policisë që ngjarja të zbardhet e plotë dhe pa ndërhyrje në hetime.
Paraditen e të dielës ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i shoqëruar nga përfaqësues të policisë dhe SHÇBA-së shkoi në banesë për ti shprehur ngushëllimet familjes Rasha për humbjen e djalit të tyre.
Për herë të parë pranë familjes kanë shkuar dhe përfaqësues të policisë së shtetit, zëvendësdrejtori Albert Dervishaj dhe kreu i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Muhamet Rrumbullaku.
Më herët familjen Rasha e ka vizituar tri herë edhe kryeministri Edi Rama, kreu i opozitës Lulzim Basha, si dhe ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Efektivi i repartit "Shqiponja", Nevaldo Hajdaraj, ekzekutoi të riun rreth orës 01:30, ndërsa hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje po po vijojnë nga SHÇBA dhe Prokuroria e Tiranës.
Pamjet filmike kryesore të sekuestruara nga grupi hetimor tregojnë qartë veprimin e policit të “Shqiponjave”, ku para kamerës së një servisi në Laprakë, duket se është pozicionuar për të qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të personit që ai po ndiqte.
Në filmime dallohet se viktima është duke u larguar me vrap, ndërkohë nga një distancë shumë e afërt prej 5 metrash, polici i pozicionuar i shtrirë në trotuar ka hapur dy herë zjarr.
Momenti i rrëzimit në tokë të Klodian Rashës, duket qartë thonë prokurorët, dhe se kjo video shërbeu që ndaj Hajdaraj të ndryshohet akuza nga “Vrasje në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme” në “Vrasje me dashje".