Vrau pronarin e stallës për pagesën e qirasë, autori shpreh pendesë por gjykata e lë në burg
Gjykata e Beratit mbajti në qeli me masën e sigurisë arrest me burg 44 vjeçarin Vangjel Polovina, që të enjten ekzekutoi me 20 plumba pronarin e një stalle derrash që kishte marrë me qira. Sipas dëshmive krimi pasoi një debat mes dy burrave për pagesa të prapambetura të qirasë.
Ky është Vangjel Polovina, 44-vjeçari që ekzekutoi 41-vjeçarin Ajet Guneli i njohur edhe me mbiemrin Ajdini pas një një konflikti për qiranë një stalle derrash në Kuçovë.
Në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë, ai shfaqi pendesë duke deklaruar se vrasjen e kreu në gjaknxehtësi e sipër, pas shumë kërcënimeve me jetë që pretendon se kishte marrë nga pronari i objektit.
Gjyqtari, Durim Hasa, e cilësoi të ligjshëm arrestimin dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" pa afat për akuzën e vrasjes me paramendim.
Krimi ndodhi mëngjesin e të enjtes në një lokal në fshatin në Goraj të Kuçovës.
Dy burrat sipas dëshmive kishin patur debate të vazhdueshme për disa muaj qira të papaguar për stallën e derrave që Vangjel Polovina kishte marrë nga Ajet Guneli.
Sipas ekspertizës, në vendngjarje u gjetën 27 gëzhoja, ndërsa Ajet Guneli ka marrë 20 plumba në trup të cilët i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.