Vrasja e efektivit Xhulio Prela, identifikohen e shpallen në kërkim 2 persona

Dy persona janë identifikuar dhe pritet të shpallen në kërkim ndërkombëtar si të dyshuar për ekzekutimin e efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër Xhulio Prela.

Burimet nga policia bëjnë me dije se për ngjarjen grupi hetimor ka arritur të zbardhë detaje të rëndësishme që kanë çuar deri tek  emrat e personave.

Për shkak të sekretit hetimor, identiteti i tyre nuk bëhet me dije, por bëhet e ditur se deri tani dyshimet janë mes viktimës Xhulio Prela dhe autorëve të ngjarjes, ka pasur një konflikt të çastit.

26-vjeçari po kthehej nga Shkodra në orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit, nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia.

Pistat e hetimit
Një ditë pas vrasjes së efektivit të policisë Xhulio Prela në qytetin e Lezhës, policia bëri me dije se kishte dy pista kryesore hetimi, e para që çonte dyshimet përtej kufirit, duke kërkuar edhe informacione në Britaninë e Madhe rreth veprimtarisë së vëllait të viktimës, i cili jeton prej vitesh në emigrim.

Gjithashtu hetimet ishin të fokusuara edhe për ndonjë konflikt të mundshëm për shkak të detyrës, pasi i riu shërbente në repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër.

Kamera e sigurisë e një biznesi pranë vendit të ngjarjes kanë fokusuar momentin kur efektivi i policisë është afruar dhe ka biseduar me njërin nga personat që ndodheshin aty dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.

Por nisur nga pamjet ka qenë mjaft e vështirë identifikimi i automjetit të autorëve, duke qenë se aty pranë ishte i parkuar dhe një mjet i tonazhit të rëndë, i cili pengonte pamjen.

Lexo me shume: Vrasja e efektivit Xhulio Prela