Produkte pa etiketa në Conad, Ora News zbulon skandalin me produktet ushqimore të importuara
Skandalet me ushqimet në supermarketet Conad nuk kanë fund. Pas tregtimit të ushqimeve të skaduara, supermarketet Conad tregtojnë produkte të paimportuara pa etiketat të cilat japin informacion. Supermarketi Conad e mohon një gjë të tillë por Ora News ka sjellë fakte që produktet shiten pa etiketa.
Edhe pse janë propozuar ndryshime në kodin penal sa i përket forcimit të masave për rritjen e sigurisë ushqimore në vend, nuk ka patur efekt.Në shumë supermarkete ka probleme të ndryshme.
Ashtu siç mund ta shihni nga pamjet në video, në dyqanet e Conad tregtohen produkte të importuara pa etiketën e domosdoshme e cila jep informacion mbi përmbajtjen e produktit.
Në video shihet qartë që punonjësja e Conad po vendos etiketat, pasi këto produkte i ka nxjerrë në shitje në shkelje të legjislacionit.
Me vendimin nr.434, datë 11.07.2018 për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, operatorët e bizneseve duhet të vendosin etiketat në gjuhën shqipe mbi produktet e importuara nga jashtë për të dhënë informacionin e duhur tek konsumatorët për ndikimin në shëndet.
Pas konstatimit të këtij skandali, Ora News iu drejtua supermarketit Conad, ku ky i fundit shprehet se çdo produkti para se të vihet në raft për shitje i vendoset etiketa e përkthimit në gjuhën shqipe, duke shtuar se ky jo vetëm është një rregull i parashikuar në legjislacion por dhe si rregull i brendshëm i kompanisë.
Por faktet janë ndryshe, duke hedhur poshtë pretendimet e supermarketit Conad.