"Vrasja e Rashës, rrufe të qiell të hapur", Rama konfirmon hetimin e "Shqiponjave": S'mund të mbetet pa reflektim

Reparti “Shqiponja” i policisë së Tiranës është vendosur nën hetim për mënyrën e emërimit të efektivëve pas vrasjes së Klodian Rashës nga oficeri Nevaldo Hajdaraj. 

Kjo u konfirmua edhe sot nga kryeministri Rama gjatë prezantimit të Ministrit të Brendshëm  Bledi Çuçi.

Shefi i qeverisë tha se reparti "Shqiponja" do t'i nënshtrohet një hetimi për mënyrën se si funksionon dhe se duhet bërë gjithçka që ngjarje si vrasja e Klodian Rashës të mos përsëritet më kurrë.

Rama: Kjo që ndodhi ishte një rrufe në qiell të pastër për shkak të skajshmërisë në ushtrimin brutal të forcës, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Por nuk duhet të mbetet pa një reflektim për gjithë sistemin e organizimit të "Shqiponjave". Nuk është nevoja të ndodhë prapë dhe kurrë mos ndodhtë më për 1 mijë vite dhe nuk është nevoja të jetë kaq ekstreme ngjarja por duhet të vlejë për të analizuar të gjithë nivelet tekniko profesionale, edhe në aspektin e motivimit psikologjik shkallën e gatishmërisë së trupave që janë në atë zinxhir, nivelin e trajnimit të tyre, cilësinë e trajnuesve të tyre, procesin në vetëvete. Pa shkuar te ekstremet kemi bërë jashtëzakonisht shumë së bashku për të larguar gjithmonë e më shumë efektivin e policinë në rrugë nga lidhja e menjëhershme me bakshishin, me korrupsionin. Nuk duhet të gënjejë mendja askënd që kjo është një betejë e fituar, është një betejë që duhet të vazhdojë. Të gjitha duhen parë më vëmendje, ajo që ndodhi nuk e kthen më në jetë Klodianin edhe sikur ne të gjithë së bashku të japim jetën tonë. Por ajo që ndodhi duhet të shërbejë që të mos ndodhin kurrë të tilla tragjedi. Zbardhja e ngjarjes është meritë e drejtorit të SHÇBA, drejtorit të Policisë së Shtetit dhe padyshim Sandër Lleshaj.

Nevaldo Hajdaraj ishte emëruar në këtë njësi me firmën e kryepolicit të Tiranës, Rebani Jaupaj, një muaj para se të kryente ekzekutimin e 25-vjeçarit.

Nga hetimet ka rezultuar se Klodian Rasha është vrarë 3 minuta pasi efektivi i repartit “Shqiponja” kishte nisur ndjekjen e të riut në zonën e Laprakës.