Dieta e shpërblim për policët, Forcat Speciale marrin pagesat e parambetura gjatë 2020

Efektivët e Forcave Speciale të Policisë kanë marrë dietat e prapambetura për orët e punës shtesë gjatë vitit 2020 ndërkohë që do të pëfitojnë edhe një shpërblim prej 25 mijë lekë të reja për fundvitin. Shpërblim financiar do të ketë edhe për efektivët e tjerë në varësi të zonës, për shkak të angazhimit me situatën e pandemisë.

Pas 10 muajsh, Drejtoria e Policisë së Shtetit ka miratuar pagesat e orëve shtesë dhe dietave për efektivët e Forcave Speciale që kanë marrë pjesë në operacione të ndryshme në gjithë vendin.

Pak ditë pas protestave për vrasjen e 25 vjeçarit, Klodian Rasha, efektivët e Forcave Speciale RENEA dhe FNSH në Policinë e Shtetit, të cilëve rrezikonin t'u mbaronte afati në fund të dhjetorit, kanë marrë dietat e prapambetura.

Vlera e këtyre detyrimeve arrin deri në 300 mijë lekë të reja për çdo efektiv.

Krahas kësaj pagese policëve pritet t'u kalohet nga Departamenti i Financës edhe shpërblimi prej 25 mijë lekë të reja për shkak të angazhimit në menaxhimin e pandemisë, me kontrollin e territorit për zbatimin e protokollit anti-Covid nga qytetarët dhe bizneset.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se shpërblim pritet të marrin edhe efektivët e tjerë të forcave policore "Shqiponja" apo ata të strukturave të Rendit.

Vlera e shpërblimit për këto kategori do të jetë në varësi të buxhetit që kanë në dispozicion komisariate të ndryshme, ndërsa mund të ndryshojë nga një komisariat në tjetrin.

Efektivët e Policisë së Shtetit përgjatë vitit 2020 janë përballur me situata të vështira të angazhimit në terren për shkak të pandemisë së COVID-19, ndërsa përveç orareve shtesë për përballimin e situatës, jo pak prej tyre janë infektuar dhe si pasojë kanë humbur edhe jetën nga virusi.