Dyshimet e ish drejtuesit të Policisë: Ndryshe u soll policia në Tiranë, ndryshe në Shkodër
Ish drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit Aleks Hajdari hedh dyshime të forta mbi sjelljen e uniformave blu gjatë protestave në Tiranë dhe asaj në Shkodër ku u sulmua dhe u dogj selia e Partisë Socialiste.
Sipas tij, policia është sjellë me dy standarte në një mënyrë që të bën të dyshosh se ka dashur që ngjarja të ndodhë.
Lexo edhe:
Shkodër: Momenti kur të rinjtë shkatërrojnë selinë PS dhe i vunë flakën
Aleks Hajdari: “Nëse do ta lidh me veprimet që ka bërë organizata e Policisë apo shërbimet në terren për një javë rresht në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, dhe po ta krahasojmë me Shkodrën, rezultojnë dy qëndrime me dy standarte në sjelljen e policisë ndaj protestuesve apo ndaj ruajtjes së institucioneve. Po të shikosh sjelljen e policisë janë të kundërta në qëndrime, në veprime, në kohën e mbërritjes selia e PS. Policia ka arritur 45 minuta me vonesë megjithëse ka qenë e njoftuar, edhe për protestën, edhe që mund të ketë veprime të dhunshme. Të arrijë policia 45 minuta me vonesë, të mos përdoret gazio lotsjellës ndërkohë që në gjithë ato protesta që ka bërë opozita në 3 muaj dhe protestat e fundit që u bënë nga rinia është përdorur gaz pa kriter. Jo thjesht janë dëmtuar nga gazi personat që kanë qenë në protestë, janë dëmtuar zonja, fëmijë që e kanë parë protestën nga ekrani.
Pra, po të krahasosh shkeljet e të gjitha kritereve dhe normat që ka kryer policia në Tiranë e Shkodër nuk di si... Nuk e di a ka patur dëshirë që kjo ngjarja këtu të ndodhë!"
/a.r, OraNews