“Transparency International” shuplakë Shqipërisë, Tabaku: Korrupsioni në nivelin e kapjes së shtetit

Raporti i fundit i “Transparency International” ishte fshikullues për Shqipërinë për nivelin e korrupsionit.

Ish-deputetja demokrat Jorida Tabaku deklaron se raporti konfirmoi akuzat e opozitës dhe se në 25 prill do të jetë dita e shkëputjes nga ky model qeverisës.

Shqipëria është me plot gojën në listën e zezë të korrupsionit, ky është një konstatim jo veç i opozitës por edhe i një raporti të dedikuar të TI, një institucioni të specializuar për korrupsioin. Sot qeverisja bëhet nga grupe kriminale të strukturuara, sot ligjet shkruhen e kalohen nga interesa të ngushta klienteliste dhe sot interesat kriminale vendosin për ndarje tenderash e koncesionesh.

Raporti vlereson se raste si ai i Vangjush Dakos që ka përfshirë grupe kriminale në blerje votash, ai i Tahirit me përfshirjen me trafikun ndërkombëtar të drogës, rasti i ligjit te lojerave te fatit ku qeveria mbështeti qartësisht grupet kriminale dhe favorizoi klientët e saj janë shembuj të qartë të kapjes së shtetit.

Në raport përmenden dhe rasti i rrugës Milot-Balldren të cilën e ka denoncuar dhe opozita. Një rast flagrant ku kostot janë 3 fishuar, ku eshte fituar pa garë, me kosto pothuajse 20 mln euro për km, në një tender që qartësisht mund të ishte zhvilluar dhe fituar një kompani me 1/3 e vlerës.

Korrupsioni ka kapur në çdo qelizë qeverisjes sepse kjo bandë ka bashkëjetuar me korrupsionin, krimin dhe ligjet speciale në favor të oligarkëve. Kjo bandë ka vrarë shpresën, detyron rininë të emigrojë edhe të shfrytëzohet nga grupet kriminale, që sot pengojnë ekonominë e zhvillimit.

Një model kriminal që do të shkëputemi më 25 prill kur Shqiptarët do të votojnë qartazi kundër këtij tarafi kriminal që na qeveris. Shqipëria do të shpëtojë nga dara e korrupsionit një herë e mirë në 25 prill 2021, ku ne së bashku do të ndryshojme faqen e Shqipërisë vendit më të korruptuar në rajon.

Shqiptarët e heshtur dhe punëtorë, qytetarët e ndershëm të këtij vendi, viktima të këtij pushteti do të jenë në radhë për të rrëzuar këtë qeveri përmes votës. Së bashku do t’ia dalim” deklaron Tabaku.

Raporti i plotë:

Një ligj i miratuar në Shqipëri i ka dhënë A.N.K Sh.P.K., një kompani pranë Partisë Socialiste në pushtet, një kontratë jashtëzakonisht të çmuar për ndërtimin e një rruge 17.2 km. Kostot e ndërtimit pritet të jenë gati 300 milion €, mbi dyfishin e shumës që qeveria kishte parashikuar. Në Turqi, një ligj riklasifikoi një ligatinë të mbrojtur në mënyrë që aeroporti i ri i Stambollit të mund të ndërtohej mbi të. Gjashtë persona në Maqedoni akuzohen për pastrim rreth 4.5 milion € për të financuar partinë politike VMRO-DPMNE. Midis tyre është ish-kryeministri Nikola Gruevski, i cili është gjithashtu i implikuar në disa skandale të tjera korrupsioni.

Këta janë shembuj të kapjes së shtetit, kur individë dhe grupe të fuqishme përdorin korrupsionin për të formësuar politikat, ligjet dhe ekonominë e një kombi për të përfituar interesat e tyre private. Kjo i lejon të korruptuarit të ruajnë pushtetin e tyre, të pasurohen nga shteti dhe të shmangin dënimin.

Qytetarët e zakonshëm paguajnë për këtë përmes humbjes së jetesës, shërbimeve të dobëta publike, mundësive të kufizuara dhe duke humbur besimin te demokracia pasi shohin që institucionet qeveritare u shërbejnë interesave private.

Kjo po ndodh në të gjitha nivelet e qeverisjes - nga autoritetet lokale te ekzekutivi - në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi. Këtu, zinxhirët e besnikërisë dhe përfitimet e ndërsjella po i shtyjnë zyrtarët të abuzojnë me detyrën e tyre dhe të forcojnë kontrollin e disa rrjeteve në këto vende.

Një raport i ri i Transparencës Ndërkombëtare mbi Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë zbulon shkaqet e kapjes së shtetit si dhe dy faktorë mundësues që e lejojnë atë të ndodhë: ndikimi në gjyqësor dhe në hartimin e ligjeve.

/a.r, OraNews