Shqipëria “pushtohet” nga një valë protestash, paralajmëron Policia: Nuk do të tolerojmë!
Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me grumbullimet e kryera në kuadër të protestave qytetare pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv i policisë.
Nëpërmjet një njoftimi, policia ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë asnjë shkelje, siç janë grumbullimet, që bie ndesh me masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë për shkak të pandemisë.
Policia ka risjellë është njëherë në vëmendje disa pika të cilat sipas tyre duhet të respektohen nga qytetarët:
-Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj. Mbajtjen e detyruar të barrierave mbrojtëse (maska), në ambientet jashtë shtëpisë;
-Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme;
-Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik;
-Ndalimin e muzikës pas orës 20:00;
-Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00;
-Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
-Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit;
-Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19.
Në njoftim policia është shprehur se është e vetëdijshme se akti për vrasjen e Klodian Rashës është kryer nga një efektiv policie, por sipas tyre tashmë kjo çështje i takon drejtësisë.