U dogj dhe u shkatërrua nga protestuesit, riparohet brenda natës selia e PS në Shkodër
Selia e Partisë Socialiste në Shkodër është riparuar brenda natës, pas dëmeve të mëdha që iu shkaktuan dje nga protestuesit.
Këtë lajm e ka bërë me dije dhe vetë i dërguari politik socialist në qytetin verior, Ilir Beqaj.
Beqaj është shprehur se simpatizantët socialiste shkodranë janë të indinjuar nga ky akt, ndërkohë që shton se “Kam komunikuar gjatë gjithë ditës me disa prej tyre. E mirëkuptoj zemërimin e tyre. Por besoj se tani në darkë, jemi të vetdijshëm se durimi dhe përulësia me të cilën e përballëm gjatë paradites sulmin ndaj selisë ka ndikuar drejtpërdrejt në lartësimin e qytetarisë shkodrane.”
Protesta nisi si marshim homazh për 25 vjeçarin Klodian Rasha dhe përfundoi në një sulm të dhunshëm ndaj selisë së Partisë Socialiste në pushtet.
Adoleshentë e të rinj, thyen derën e dritaret dhe u futën brenda zyrave nga ku nxorën dokumenta e orendi dhe u vunë flakën në rrugë.







