Balla: KQZ të garantojë zgjedhjet”, PD bëri gjithçka për të penguar emigrantët

Një ditë pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias, socialistët kërkojnë nga KQZ përgatitjen e zgjedhjeve të lira. Nga Elbasani kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla hodhi poshtë zërat se mund të jetë ai zëvendësues i Sandër Lleshajt në krye të Ministrisë së Brendshme.

Komisioni i Venecias, sipas socialistëve u ka dhënë të drejtë atyre dhe tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të marrë situatën në dorë për përgatitjen e 25 prillit.

Nga Elbasani kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dha një mesazh për drejtueist e opozitës

Balla: Nëse duan të jenë bashkë, dhe ata janë bashkë, le të jenë dhe ne e kemi më të thjeshtë të fitojmë me ta. Tashmë është detyra e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, demokratik dhe jemi në një fazë përgatitore, ku janë hapur çelësat për regjistrimin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, për të shkuar te vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që ka qenë dhe mbetet një nga objektivat kryesorë të PS. Për fat të keq, Partia Demokratike bëri gjithçka për të penguar votën e qytetarëve jashtë Shqipërisë.

Situata e tensionuar në vend, sipas Ballës ka autorët e saj.

Balla: Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Ilir Meta e Sali Berisha janë tashmë grabitësit e protestës e cila nisi si një protestë e drejtë, për të ngritur zërin kundër një akti që prokuroria e vendit e ka cilësuar kriminal, është marrë i pandehur punonjësi e policisë ndërsa gjykata vijon procesin ndaj tij.

I përfolur prej ditësh se mund të jetë zëvendës i Sandër Lleshajt, Balla e ka mohuar këtë fakt.

Balla: Unë jam kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, dhe e kam thënë që sipas rregullave të PS, Sekretari i Përgjithshëm nuk mund të marrë një detyrë ekzekutive.