Ilir Beqaj për Ora News: Taktikë e shëmtuar e opozitës përfshirja e fëmijëve në protestë
Protesta e nisur me një marshim nën moton 'Drejtësi për Klodianin' u përshkallëzua në një protestë ku shumë protestues dogjën dhe shkatërruar objekte nga selia e PS. Më pas FNSH ndërhyri duke e shpërndarë turmën me gaz lotsjellës.
Në lidhje me këtë në një lidhje live për Ora News, i dërguari i PS në Shkodër, Ilir Beqaj e quajti përpjekje e shëmtuar e opozitës aktuale përfshirjen e fëmijëve në protestë.
Ilir Beqaj për Ora News: Nuk ka ndodhur në 30 vjet të ketë dhunim të selisë së një partie. Kjo është një taktikë e shëmtuar për të përfshirë fëmijët.
Tregon degradimin e opozitës aktuale e cila është në panik përballë pamundësisë për të fituar me votë dhe përdor forma nga më të shëmtuarat duke përdorur dhe fëmijët. Si mund të ketë qenë marshimi i qetë kur ngjarjet janë evidente dhe në krye të protestës është Voltana Ademi kryetarja e Bashkisë Shkodër. Është e qartë kush e urdhëron, kush e mbështet dhe kush i del për Zot dhe politikisht dhe shpirtërisht.
Ai tha se reagimi nga institucionet ka qenë i duhuri dhe do të vazhdojnë përpjekjet për t'i hapur rrugë drejtësisë.
Ilir Beqaj për Ora News: Ngjarja e vrasjes së 25 vjeçarit ka qenë shumë e dhimbshme, por reagimi qoftë politik qoftë shtetëror ka qenë i shpejtë dhe i duhur. Do të ketë patjetër një reagim fillimisht nga PS Shkodër dhe më pas vijnë reagimet politike por dhe përpjekjet për t'i hapur rrugë drejtësisë.