"Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë" Rama reagon pas shkatërrimit të selisë PS Shkodër
Protesta në Shkodër, ku u u shkatërrua selia e Partisë Socialiste, përplasi palët politike. Rama tha se pas akteve fshihet opozita që e cilësoi terroriste ndërsa protestuesit si mercenarë. Por Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, tha se Rama po nxit urrejtjen ndërsa sipas tij revolta ka si shkak keqverisjen. Kryebashkikja e Shkodrës u distancua nga aktet ndërsa tha se për ngjarjen ka njoftuar policinë, por kjo e fundit nuk mori asnjë masë.
Kryeministri, Edi Rama, reagoi ashpër pas protestës në Shkodër ku u bastis selia e Partisë Socialiste, duke theksuar se pas këtij akti fshihet Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ai i cilësi këto dy forca politike si terroriste, ndërsa të rinjtë që shkatërruan dhe dogjën zyrat si kamikazë.
Rama: Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme.
Më socialistët replikoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike,Gazmend Bardhi, tha se keqqeverisja, dhuna dhe arroganca 7 vjeçare e Edi Ramës janë shkaktarët e vetëm të revoltës dhe zemërimit të të rinjve.
Bardhi: Gjuha e urrejtjes dhe përpjekjet e dëshpëruara të Edi Ramës për të fajësuar PD për 7 vitet e dështimit, premtimeve boshe dhe arrogancës së tij, tregojnë sa larg realitetit ku jetojnë shqiptarët, është ky njeri dhe shpura e tij. Keqqeverisja, dhuna dhe arroganca 7 vjeçare e Edi Ramës janë shkaktarët e vetëm të revoltës dhe zemërimit të të rinjve.
Për situatën reagoi edhe i deleguari Politik i Partisë Socialiste në Shkodër, Ilir Beqja, i cili i quajti veprimet të shëmtuara, ndërsa tha se opozita po vendos fëmijët përball policisë.
Beqaj: Nuk ka ndodhur në 30 vjet të ketë dhunim të selisë së një partie. Kjo është një taktikë e shëmtuar për të përfshirë fëmijët.Tregon degradimin e opozitës aktuale e cila është në panik përballë pamundësisë për të fituar me votë dhe përdor forma nga më të shëmtuarat duke përdorur dhe fëmijët. Si mund të ketë qenë marshimi i qetë kur ngjarjet janë evidente dhe në krye të protestës është Voltana Ademi kryetarja e Bashkisë Shkodër. Është e qartë kush e urdhëron, kush e mbështet dhe kush i del për Zot dhe politikisht dhe shpirtërisht.Ngjarja e vrasjes së 25 vjeçarit ka qenë shumë e dhimbshme, por reagimi qoftë politik qoftë shtetëror ka qenë i shpejtë dhe i duhur. Do të ketë patjetër një reagim fillimisht nga PS Shkodër dhe më pas vijnë reagimet politike por dhe përpjekjet për t’i hapur rrugë drejtësisë.
Por kryebashkiakja e Shkodrës,Voltana Ademi, e cila ishte në protestë, tha se qytetarët shkodranë bën detyrën ndaj demokracisë dhe lirisë në një marshim paqësor.
Ajo u distancua nga aktet e dhunës, duke theksuar se thyerja e selisë së Partisë Socialiste nuk është ajo që demokratët duan apo shkodranët mbështesin.
Ademi: Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim.
Voltana Ademi, thotë se Partia Demokratike nuk ka nxitur kurrë urrejtje politike as në kohërat më të errëta.