Grabitet farmacia në Durrës, arrestohet autori i 10 vjedhjeve
Një farmaci është vjedhur mbrëmjen mes të premtes e të shtunës, 12 dhjetor, në Lagjen 4, në Durrës.
Hajdutët duket se shfrytëzuan angazhimin e forcave të Policisë së Durrësit për të menaxhuar situatën e krijuar në qytet pas revoltës së qytetarëve për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha.
Autorët duket se janë futur nga një dritare në krah dhe sipas burimeve thuajse e kanë boshatisur farmacinë që ndodhet prapa Bashkisë së Durrësit.
Pronarët kur e kanë mësuar çfarë ka ndodhur kanë njoftuar policinë.
Ata morën dëshminë e tyre, ndërsa nisën hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Por deri më tani nuk ka konfirmim nësë kanë arritur ti gjejnë.
Ndërkohë Policia e Durrësit ka arritur të vërë në pranga një 48 vjeçar autor i disa vjedhjeve, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Blutë thonë se kanë arritur të dokumentojnë se D. Ç., 48 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja", është autor i 10 vjedhjeve të ndodhura gjatë muajve të fundit në qytetin e Durrësit.
Vjedhjet e 48 vjeçarit
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi më datë 09.12.2020, në lagjen nr. 12, Durrës, ka vjedhur në mjetin e shtetasit A. Sh., një çantë dore ku ndodheshin 45.000 lekë.
Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas është autori i dyshuar i disa vjedhjeve të ndodhura në qytetin e Durrësit, konkretisht:
Më datë 14.09.2020, dyshohet se ka vjedhur në mjetin e shtetasit P. U., një aparat celular;
Më datë 18.09.2020, dyshohet se ka thyer xhamin e mjetit të shtetasit V. D., ku ka marë 3.000 lekë dhe 50 euro;
Më datë 23.09.2020, dyshohet se i ka vjedhur çantën e dorës shtetasit B. H., ku ndodheshin 50.000 lekë;
Më datë 18.10.2020, dyshohet se i ka vjedhur çantën e dorës shtetasit B. P., ku ndodheshin 7.000 lekë;
Më datë 31.10.2020, dyshohet se ka vjedhur portofolin e shtetases E. Sh., ku ndodheshin 10.000 lekë;
Më datë 16.11.2020, dyshohet se ka vjedhur në mjetin e shtetasit N. L., shumën 10.000 lekë dhe dokumentet e mjetit;
Më datë 17.11.2020, dyshohet se ka vjedhur portofolin e shtetases G. H., ku ka patur 260 euro dhe 9.000 lekë;
Më datë 30.11.2020, dyshohet se i ka vjedhur çantën e dorës shtetasit L. Gj.;
Më datë 05.12.2020, dyshohet se ka vjedhur 2 aparate celular në mjetin e shtetasit M. Gj;
Më datë 07.12.2020, dyshohet se ka vjedhur në lagjen nr. 4, Durrës, në mjetin tip "Benz", shumën 45.000 lekë.