Dhunimi dhe arrestimi i gazetarëve, Meta reagon ashpër: Prokuroria të vendosë para përgjegjësisë autorët

Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar ashpër kundër dhunimit dhe arrestimit të gazetarëve gjatë kohës që ishin në krye të detyrës.

Meta i ka bërë thirrje Prokurorisë që të marrë masa ndaj autorëve të dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.

“Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e efektivëve të caktuar të Policisë së Shtetit.

Dhunimi i kryeredaktorit të "Koha Jonë", z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë.

Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.

I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri.

I garantoj të gjithë gazetarët e lirë dhe të pavarur se, NUK DO TË LEJOJ KURRË INSTALIMIN E MODELIT LUKASHENKO NË SHQIPËRI”, shkruan Meta.

Mbrëmjen e sotme u arrestua kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë” Qamil Xhani, ndërkohë që një ditë më parë i njëjti akt u ndërmorr ndaj spikerit të RTV Ora, Xhoi Malësia.