Klodian Rasha "zgjon" ndërkombëtarët, thirrje për protesta paqësore

Ambasadat e SHBA, BE, Gjermanisë dhe Britanisë në Tiranë reaguan për ngjarjet e ditëve të fundit në Shqipëri duke bërë thirrje për shmangien e dhunës.

Diplomatja amerikane Yuri Kim u ka adresuar mesazhe të veçanta të gjitha palëve, ndërkohë ambasadorët e BE, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, ngushëlluan familjen e Klodian Rashës dhe bënë thirrje për zbardhjen e vrasjes si dhe shmangien e akteve të dhunës.

Ambasada amerikane në Tiranë reagoi në lidhje me vrasjen e Klodian Rashës dhe protestat e nisura në vend pas kësaj ngjarje. Në deklaratë thuhet se ambasadorja Yuri Kim bisedoi për këtë çështje me kryeministrin Edi Rama, drejtorin e policisë Ardi Veliu, kryetarin e PD Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika kryemadhi.

Gjatë këtyre bisedave diplomatja e SHBA ka theksuar se ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent.

Në këtë drejtim ne vërejmë se autoritetet kanë kapur oficerin në fjalë dhe kanë nisur hetimet.

Ndërkohë Yuri Kim thekson se ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe refuzimin e dhunës. Ndërkohë në deklaratë thuhet se ata që kanë qenë më parë në pushtet nuk duhet të bëjnë gabimet e të kaluarës duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme.

Situata e krijuar në vend solli edhe reagimin e ambasadorit të BE në Tiranë Luigi Soreca. Ai shprehet i pikëlluar për zhvillimet në Tiranë, ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes së Klodian Rashës.

"Është thelbësore që kjo ngjarje tragjike të hetohet si duhet dhe të vendoset drejtësia, dhe shqetësimet e shprehura paqësisht të dëgjohen. Por dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët", thekson në reagimin e tij ambasadori i BE.

Nga ana tjetër kreu i Ambasadës gjermane në Shqipëri, Peter Zingraf. Ai shprehet se vdekja e të riut e ka prekur ndërkohë që është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht.

Ambasadori gjerman thotë se ajo ç’ka na mëson ky rast tragjik është se dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. "Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”, shkruan ambasadori i Gjermanisë në Tiranë.

Nga ana tjetwr Ambasada britanike nw Shqipwri shprehu solidaritet dhe ngushëllime për familjen e Klodian Rashës duke kërkuar vendosjen e drejtësisë.

"Ne e kuptojmë pse njerëzit janë të zemëruar dhe mbështesim të drejtën për protestë paqësore. Le t'i zgjidhim gjërat në mënyrë paqësore", shkruan diplomati britanik.