Pushohen hetimet për ish-drejtorin e Kadastrës së Durrësit, nuk ka asnjë fakt të shpërdorimit të detyrës
Më shumë se një vit pasi u vu në pranga i dyshuar për tjetërsimit të pronave, Gjykata e Durrësit ka pushuar hetimin ndaj ish-kreut të Kadastrës, Liridon Pula.
Ai u arrestua me akuzën e "shpërdorimit të detyrës", ngritur nga prokurori Arjan Ndoja.
Por dosja filloi të rrëzohet në Gjykatën e Apelit duke vendosur "detyrim paraqitje" ndaj ish-zyrtarit.
Me të njëjtën akuzë, u prangos edhe nëndrejtorja e Kadastrës Durrës, Lusiena Kolaj, e cila po ashtu ka fituar pafajësinë.
Gjykata e shkallës së parë Durrës pranoi kërkesën për pushimin e hetimit, duke pranuar se akuzat e ngritura nga prokurorri ndaj dy zyrtarëve nuk u provuan.
Vendimi për ish-drejtuesit e Kadastrës së Durrësit u dha nga gjyqtari Rexhep Bekteshi.
Arrestimi i Liridon Pulës shkaktoi reagime të forta edhe politike në atë kohë.
Përfaqësues të qeverisë hodhën akuza të forta ndaj prokurorit se vepron në shërbim të grupeve kriminale dhe se zyrtari i Kadastrës sipas tij nuk ka pranuar të legalizojë pallate në bregdet.
Atë kohë kreu i qeverissë paralajmëroi një ligj special kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, ende në sistemin e drejtësisë, të cilët i quajti “KÇK”.
Prokurorit Arjan Ndoja i bënë atentat më 1 nëntor në Durrës, ku ai mbeti i plagosur bashkë me një person tjetër, ndërsa shoferi humbi jetën.