Kreu i Unionit të Gazetarëve: Dhuna policore ndaj gazetarit Xhoi Malësia një rast i paprecedent
Kryetari i Unionit të Gazetarëve shqiptarë, Aleksandër Çipa, në një intervistë për RTV ORA e konsideroi dhunën e djeshme policore ndaj gazetarit të RTV ORA, Xhoi Malësia si një rast i paprecedent.
Aleksandër Cipa për RTV ORA: Rasti i Xhoi Malësisë mbrëmë është një rast i paprecedent. Fatmirësisht në një pjesë të mirë të sjelljes brutale të dhunës mbi integritetin fizik të një gazetari janë filmuar dhe kanë mbetur në objektivin e kamerave të disa reporterëve dhe qytetarëve. Dhe besoj ajo sjellje, ajo mënyrë e komunikimit dhe shpërfillja në mënyrë të veçantë e identifikimit të gazetarit si i tillë, është ndoshta një rast i paprecedent dhe që praktikisht do doja që të mos mbeteshim me një reagim thjesht përmes deklaratave.
Cipa u shpreh se mungesa e reagimit nga autoritetet e policisë për ngjarjen tregon se për këto institucione, nuk përbëjnë problem çështje të tilla që lidhen me dhunën e reporterit në detyrë
Aleksandër Cipa për RTV ORA: Ende nuk kemi një prononcim as nga policia vendore e Tiranës dhe as nga autoriteti kryesor që është drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit. Kjo do të thotë që në vëmendjen dhe në dëgjueshmërinë institucionale të policisë së shtetit, nuk përbëjnë problem çështje të tilla që lidhen me dhunën e reporterit në detyrë. Dhe këtu kemi të bëjmë me një ligj të posaçëm të Republikës së Shqipërisë, me çështje që lidhen me integritetin fizik të individit që është në një marrëdhënie pune, siç ishte në rastin konkret Xhoi Malësia.
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online E.P