Pandemia gjunjëzon familjarët e pacientëve me Covid, flenë në makina për të shmangur hotelet
Sistemi shëndetësor po përballet me shumë probleme, e një ndër to janë edhe kapacitetet. Ndërsa familjarët e pacientëve të shtruar në këto spitale tregojnë se nuk kanë mundësi të akomodohen në hotele, ndaj detyrohen të flenë në makina.
Radhët e autoambulancave në spitalin "Shefqet Ndroqi" këtë të premte ishin më të pakta.
Paradite vetëm dy autoambulanca qëndruan në pritje për rreth 30 minuta.
Pjesa me e madhe e familjarëve që janë në pritje për të dërguar ushqime për të afërmit e tyre tregojnë se janë të kënaqur nga shërbimi dhe se nuk i ka munguar informacioni nga mjekët.
Por ky zotëri që ka të shtruar vëllanë prej tre ditësh thotë të kundërtën. Sipas tij, deri më sot askush nuk e ka telefonuar.
"E treta ditë sot. E kam sjellë në Urgjencë. Nuk kam asnjë lloj komunikimi me mjekët, as unë dhe as e shoqja. Është futur aty brenda, se është gjallë apo ka vdekur, ne nuk dimë gjë."
Veç shqetësimeve për shëndetin e të afërmve, disa përballen edhe me mungesën e akomodimit.
Të ardhur nga rrethet, një pjesë e qytetarëve tregojnë se janë përpjekur të shmangin hotelet, pasi nuk kanë mundësi financiare.
" Vij nga Kurbini, nga Laçi. Kam fjetur në makinë për shkak të pamundësisë po edhe duke pritur për ndonjë lajm."
Në katër spitalet Covid, të paktën javën e fundit, mesatarisht kanë qenë të lirë rreth 100 shtretër dhe me plotësimin e tyre do të lindë nevoja e hapjes së spitaleve Covid në rrethe.