"Synimi i protestës largimi i Lleshajt?", Cukali: I ka dhënë një frymë të keqe gjithë Policisë së Shtetit
Qëndrimet mbi protestën janë ndarë në dy kahe që pas ditës së djeshme që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen nga posti.
Publicisti Koloreto Cukali në një intervist për Ora News ka thënë se protesta nuk ka pasur si qëllim kryesor largimin e tij, ndërkohë që e akuzon Lleshajn për përhapje arrogance në strukturat e Policisë së Shtetit.
Sipas Cukalit, përgjegjësia për të gjitha këto ngjarje bie mbi strukturat e brendshme të policisë, të cilët kanë thithur frymën negative të përhapur nga Lleshaj e Rama.
Cukali: Nuk mendoj se ka qenë synimi, edhe pse z. Lleshaj e meritonte të mos ishte prej shumë kohësh në atë vend, sepse nën shembullin e kryeministrit edhe ministri vendosi një lloj arrogance që të unifikonte institucionin me veten. Por nuk mendoj që problemi i strukturave kryesore të policisë qëndron vetëm te ministri. Problemi është te fryma.
Gjërat që shkojnë dhe nuk shkojnë në Shqipëri janë fryma që ka shteti shqiptar, administrata. Fryma që jep ai që është në krye. Sa më e fortë është vullneti i njëshit, aq më e fortë është fryma që përshkon gjithë strukturën. Rama dhe Lleshaj nuk qeverisin me grupe dhe ekipe me staf të zgjedhur, lërë më me staf të votuar. Ata janë individë që frymën e vet personale ia përcjellin të gjithë strukturës.
Ministri i ka dhënë një frymë shumë të keqe dhe shumë problematike të gjithë policisë së shtetit, por mendoj që problemi nuk është ai edhe pse duhet të mbante përgjegjësi dhe të largohej që ditën e parë. Unë mendoj që përgjegjësia qëndron brenda strukturave, sepse ato kanë përthithur këtë frymë që është një frymë armiqësie me publikun.