Sokolaj tregon si u hodh në erë biznesmeni në ashensor, zbardhja e vrasjes së rivalit të Lul Berishës çoi në identifikimin e autorëve
Drejtori i Informacionit i Ora News, Trashgim Sokolaj, ka zbardhur detaje nga hetimi i SPAK që çoi në zbardhjen e dy vrasjeve të bujshme 15 vjet më parë, rivalit të Lulzim Berishë Klodian Saliu dhe biznesmenit Vajdin Lamaj.
Në studion e RTV Ora, ai tha se zbardhja e vrasjes së Klodian Saliut ka çuar më pas edhe në identifikimin e autorëve të vrasjes së biznesmenit Lamaj, për të cilin sipas tij asokohe policia nuk ka pasur asnjë pistë të qartë.
Sokolaj: Bëhet fjalë për dy vrasje të vjetra të rihapura nga SPAK, vrasjen e Klodian Saliut në rrugën Tiranë -Durrës në shkurt të 2005 dhe ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lamaj, ish-zëvendëspresident i Federatës së Mundjes, i cili është ekzekutuar në shkurt të 2005 në pallatin ku banonte me anë të një shpërthimi të telekomanduar në ashensor në momentin që ishte duke lëvizur. Sipas njoftimit të SPAK, të dy procedimet kanë qenë të pezulluara dhe pa autor në policinë e Tiranës dhe në Durrës. Fillimisht është hapur dosja për vrasjen e Klodian Saliut i cili njihet si një rival i Lulzim Berishës. Fillimisht ishte anëtar ui bandës së tij por me kalimin e kohës arriti të krijonte një klan brenda saj dhe në një moment të caktuar kërkoi shkëputjen e tij.Sipas hetimeve të SPAK, ka rezultuar se Lulzim Berisha me një grup personazh ku bën pjesë kunati i tij Plarent Dervishi, ish-anëtari i bandës Indrit Taullai por edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri, ky i fundit i ndaluar në Vlorë rezultojnë të implikuar në atentatin ku mbeti i vrarë Klodian Saliu dhe në atentatin ku u ekzekutua biznesmeni Vajdin Lamaj dhe miku i tij.
Për Sokolaj, ky operacion i SPAK është premtues dhe një sinjal se do të mund të zbardhen edhe veoprimtari të tjera kriminale që mbajnë firmën e bandës së Durrësit pasi siç thotë para dhe pas këtyre ngjarjeve ka pasur një seri vrasjesh dhe plagosjesh të tjera.
Sokolaj:Është një sinjal pozitiv. Shpresojmë të kemi dhe zbardhje të tjera. Për vrasjen e Lamaj nuk ka pasur shumë pista por për Klodian Saliun vetë gjykimi ndaj anëtarë të bandës së Durrësit ka treguar se vrasja e tij ishte episodi i radhës me dy fraksioneve të bandës së Lul Berishës.Ka pasur disa atentate, disa vrasje dhe plagosje para dhe pas saj për të vendosur ekuilibrat në grupin e Durrësit. Besoj se një pjesë e mirë e këtyre episodeve do të zbardhen në ditët në vijim.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana
LEXO EDHE
Zbardhet vrasja e biznesmenit Vajdin Lamaj, pas 15 vitesh nën akuzë Shullazi dhe Lulzim Berisha
SPAK nxjerr nga pluhuri dosjet e vjetra të ish-bandës së Durrësit
Gjykata e Prizrenit cakton masën e sigurisë për ish anëtarin e bandës së Durrësit
Ky është bashkëpunëtori i Indrit Taullaut që u arrestua në Vlorë