Vrasja e 25 vjeçarit, PD: Po manipulohet e vërteta, Prokuroria të marrë masat

Partia Demokratike nëpërmjet ish-deputetit Enkelejd Alibeaj ka reaguar në lidhje me vrasjen e 25 vjeçarit, Klodian Rasha nga efektivët e policisë.

Alibeja ka akuzuar Policinë e Shtetit se po fshihen dhe po manipulohet faktet e vërteta për ngjarjen, në një kohë që i bën thirrje Prokurorisë që të marrë masat.

Në Ditën e Rinisë, një 25 vjeçar u  ekzekutua me plumb në kokë nga regjimi, sepse nuk respektoi orën policore të karantinës. Një i ri që vrapon për t’i shpëtuar gjobës apo sjelljes brutale, që e kemi parë të gjithë në rastin e 15 vjeçarit gjatë karantinës së parë, nuk përbën asnjë rrezik për policinë. 

Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën, janë njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat krijojnë bindjen e tentativës për manipulimin dhe fshehjen e së vërtetës, me justifikime të denja për një bandë.

Asnjë skenar i sigurimit të shtetit nuk mund të justifikojë ekzekutimin e të riut. 

Prokuroria duhet të kishte marrë menjëherë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes, zbardhjen e të vërtetës sa me shpejt dhe informimin e publikut për ketë ngjarje që ka shokuar të gjithë shoqëinë”, ka thënë Alibeaj.