"Karri...erë.. çështë ky karri që merr erë..., mrekulli... mrekulli..", ironia e Vasilit me Mamaqin
Mbrëmjen e djeshme në PolitikOn me Alfred Lelën u diskutua tema e influenuesve në rrjetet sociale, ku një debat të madh hapi një poster i publikuar për Ermal Mamaqin.
Aktori Laert Vasili arriti të analizojë të gjithë posterin informues në lidhje me një projekt për këshillime karriere dhe jo vetëm, që Mamaqi kishte planifikuar t’u ofronte ndjekësve të tij në kuadër të një pagese.
Vasili vuri në dukje të gjitha gabimet drejtshkrimore, ndërkohë që u paraqit edhe pak i revoltuar nga kjo mungesë korrektësie në lidhje me gjuhën shqipe.
Vasili: Mos ndiqni shembullin e njerëzve që kanë mbi një milionë euro në llogari bankare, sepse kapitali i tyre parësor është vënë patjetër në mënyrë të jashtëligjshme. Nuk ka shqiptar me djersën e ballit të ketë punuar nga ’90 deri më tani që të ketë vënë një kapital mbi 100 mijë euro në 30 vjet, sepse nuk ndodh.
Në rreshtin e parë është “orë” dhe jo “ore”. Në rreshtin e dytë, shumësi i fjalës “drekë” është “dreka. Gabimi i dytë drejtshkrimor po në rreshtin e dytë, “orë” dhe jo “ore”. Në rreshtin e tretë gabimi i katërt “millarderë”. Po në rreshtin e tretë “Shqiperisë”, pra mundon ë ndërkohë që është në fund. Gabimi i pestë.
Shkojmë në rreshtin e 6 që është një perlë, një mrekulli. Pyetje-përgjigje për karri-erë? Ç’është ky karri që merr erë? Do ë në fund, sepse është “karrierë”. Business? Nuk e di se çfarë do të thotë në shqip. Duhet të jetë biznes ose tregti. Pyetje përgjigje për “jetën”, do n në fund. Kemi vajtur në 10 gabime drejt shkrimore.
Këshillim nga “ekspertet”, vetëm po të jenë femra, sepse shoh që edhe “fushes” është me e.
Pra ky njeri thotë që është trajner, life coach dhe do 24 mijë euro në vit që të hysh me vetulla dhe të dalësh pa sy, sepse me këto gabime drejtshkrimore... Ngaqë është aktor humori, mendoj se e ka nxjerrë me humor. Nuk duhet marrë seriozisht. Unë nuk jam pedagog gjuhë-letërsie, fatmirësisht ka qenë im-atë prej të cilit kam ngrënë shumë çoka në kokë që të mësoj shqip.
Të mos them çudira të tipit “sistemi penitenciar”, që e thoshte njëra e pushtetit. Ne që vijmë nga jashtë kemi një merak për gjuhën shqipe, kurse këta që janë këtu kanë një merak se si të duken të jashtëm. Njëlloj si në vitet ’80. Pra këta që duan të duken të jashtëm shkruajnë karrier, business, Shqiperisë. A e dinë në ç’vend jetojnë? Ky vend, kjo tokë që të jep bukë, këta njerëz që të ndjekin dhe që u merr 1 euro secilit që reklamojnë makina...
Quhet Shqipëri, jo Shqiperi. Peri-ja është një gjë tjetër.
Sakaq nuk ka munguar edhe ndërhyrja e menjëhershme e Mamaqit, i cili refuzoi ta kishte publikuar ai këtë poster.
LEXO EDHE: Ermal Mamaqi ndërhyn live në PolitikOn: Jam i prekur nga epitetet e përmendura