Vrasja e 25-vjeçari/ SHÇBA: Veprimet e policit në kundërshtim me kushtet e përdorimit të armës
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përmes një njoftimi për median zbardh dinamikën e vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë, N.H.
Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 01:45,në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë.
Në një njoftim thuhet se 25 vjeçari nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica.
Shërbimi i Policisë i përbërë nga dy punonjës, të dislokuar në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar gjatë patrullimit një shtetas, i cili sillej dhe kryente veprime të dyshimta, çka bëri shkak që Patrulla të kryente verifikimin e shtetasit. Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica.
Në ndjekje e sipër, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se shtetasi kishte me vete një send në dukje armë zjarri, çka ka bërë që Patrulla të kërkojë përforcime nga Salla Operative duke dhënë rrethanat, adresën dhe karakteristikat e personit që po ndiqnin." - njofton SHÇBA.
Më pas 25-vjeçari është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij.
"Shtetasi K.R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital. Menjëherë pas njoftimit është formuar grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së, Policisë së Shtetit dhe i drejtuar nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka kryer veprimet e para hetimore.
Gjatë hetimeve paraprake, si këqyrja e vendit të ngjarjes ku ka gjetur vdekjen shtetasi K.R., grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit, administroi pamjet filmike të subjekteve private pranë vendit të ngjarjes. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të policisë N.H. Nga grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë." - vazhdon njoftimi.
SHÇBA pranon se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit.
"Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Hetimet vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Duke përfituar nga ky komunikim publik, shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të të ndjerit dhe garantojmë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes me paanshmëri dhe objektivitet."
LEXO EDHE
Polici i “Shqiponjave” vret 25 vjeçarin afër shtëpisë, arrestohet
Ky është 25-vjeçari që u vra nga policia në Tiranë
Policia: Pranë vendngjarjes u gjet një pistoletë, dyshohet se…
25-vjeçari mori dy plumba, një në kokë e një në shpatull
Polici që vrau Klodianin kishte dy javë në repartin “Shqiponja”, pa kamera trupi
Dëshmia e policit që vrau 25-vjeçarin: Doja ta pyesja pse kishte dalë, iku me vrap
Hajdarmataj: Ja kur mund të përdoret arma e shërbimit
Salianji tregon ligjin: Akt i shëmtuar nën frymën e represionit qeveritar