"Hajdutët e fatkeqësisë"/ PD: Veliaj ndërton një shkollë me çmim tre herë më të lartë se BE

“Edi Rama, në bashkëpunim me Erion Veliajn, janë duke drejtuar një show propoagandistik të shëmtuar, pas të cilit fshihet një mega vjedhje”.

Kështu është shprehur në një deklaratë për mediat ish deputeti i PD Luçiano Boçi, i cili denoncoi sipas tij, abuzimet që po bën mazhoranca me fondet e rindërtimit.

Sipas Boçit, pangopësia dhe babëzia e këtij pushteti po kalon çdo kufi, e nuk po kursen më as nxënësit dhe as prindërit.

Ndërkohë që nuk janë kursyer akuzat në adresë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas selisë blu, një shkollë në Tiranë kushton tre herë më shumë se një në Bashkimin Europian.

"Kjo gjendje amullie dhe kaosi është mundësuar me sponsorizimin dhe nën kujdesin e posaçëm të Bashkisë Tiranë dhe kryehajdutit të kryeqytetit, Erion Veliaj.

Zvarritja e porcedurave, nuk është veçse një mizanskenë që do t’u mundësojë “Hajdutëve të Fatkeqësisë” gllabërimin e fondeve dhe ndërtimin me çmimin më të lartë, duke shkelur me dhjetëra herë ligjin e prokurimit publik.

Dy herë u anulua tenderi për ndërtimin e shkollave në Tiranë nga Erion Veliaj, megjithëse ai dhe Edi Rama premtuan se shkollat do të ishin gati në shtator. Të dyja herët, ajo që duket qartë është vjedhja me tenderat e rindërtimit për shkollat e Tiranës.

Për të ndërtuar 14 objekte arsimore, Erion Veliaj tenderoi 30 milion euro. Thënë ndryshe, me procedurën korruptive të Bashkisë së Tiranës, një shkollë apo një kopsht do të kushtojë 2.1 milion euro. Një çmim 3 herë më i lartë se procedura e ndjekur nga Bashkimi Europian për të njëjtën punë.

Me standardet europiane, 1 shkollë e ndërtuar nga BE, do të kushtojë 680 mijë euro. Ky është shembulli se kur nuk ka mendje për të vjedhur, kostoja është më e lirë dhe mund të ndërtosh më shumë.

Bashkimi Europian do të ndërtojë 22 shkolla me 15 milion euro, ndërsa Erion Veliaj dhe Edi Rama do të ndërtojnë më pak, 14 shkolla me 30 milion euro", u shpreh ndër të tjera Luçiano Boçi.