Bilanc tragjik në vend, 107 vdekje nga Covid 19 në një javë

Java që lamë pas shënoi një bilanc tragjik me 107 viktima dhe 5 mijë e 363 infektime të reja.

Të shtunën u regjistrua numrin më i lartë i të prekurve me koronavirus, plot 846 raste, numri më i lartë prej fillimit të pandemisë.

Në 24 orët e fundit u raportuan po ashtu të dhëna shqetësuese.

16 pacientë humbën jetën si pasoje e komplikacioneve të Covid-19, ndërsa nga kryerja e 2 mijë e 374 testimeve rezultuan pozitiv 840 persona.

Përveç Tiranës që mbetet zonë e nxehtë e pandemisë, rritje të infektimeve u shënuan edhe në Shkodër me 75 raste, Fier me 52 raste dhe Berat me 47 persona të prekur.

Pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë ka vendosur në dispozicion 4 spitale, pacientët vijojnë të marrin shërbim në autoambulanca.

Mes erës e të ftohtit dhe në gjendje të vështirë shëndetësore ata detyrohen të presin gjatë deri në lirimin e një shtrati.

Gjendjen kritike e denoncoi përmes një reagimi në Facebook edhe Presidenti Ilir Meta i cili kërkon angazhim maksimal në shërbim të pacientëve.

Meta: “Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet.  Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj”

Pavarësisht situatës që përkeqësohet dita ditës dhe denoncimeve të shpeshta, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk e sheh të arsyeshme marrjen e masave shtese për të frenuar përhapjen e virusit vdekjeprurës.