Ekskluzive/ Haradinaj: Koha që BE të na shtrijë dorën, SHBA të na ndihmojë për anëtarësim në NATO
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë ekskluzive për Ora News përballë gazetares Matilda Mcini u shpreh se BE duhet t'i shtrijë dorën Kosovës për liberalizimin e vizave dhe njohjen e Kosovës nga pesëshja e BE që nuk e ka njohur. Ndërkaq ai tha që nga SHBA, Kosova pret ndihmë për anëtarësimin në Nato
Ora News: Liberalizmi i vizave, ju keni shprehur që duhet të ndodhë sa më shpejt, kemi pengesë nga Franca dhe Holanda.
Ramush Haradinaj për Ora News: Kemi situatë të rëndë në Kosovë, për shkak të pandemisë, gjendja ekonomike, rëndon dialogu se merr kohë angazhim, vëmendje. Tani na rëndojnë dhe aktakuzat. Mendoj që është koha që BE t'i shtrijë dorën Kosovë, ti japë diçka. Jo vetëm ti tregojë çfarë është e drejtë dhe çfarë jo por dhe ti japë në këtë kohë të krizës. E vërteta është që ne kemi përkrahje financiare, përkrahje të tjera të vazhdueshëm dhe prej vendeve të BE sidomos nga Gjermania por kemi nevojë dhe për disa vendime të BE në favor tonin. Është liberalizmin që po pret gjatë, është njohja nga pesëshja e BE që nuk na ka njohur. Greqia,Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Një mobilizim për të ndihmuar anëtarin më të ri të familjes në këtë rast Kosovës sepse ne kërkojmë kandidaturën dhe nëse e merr kjo nuk do të thotë që bëhesh anëtar i BE shpejt. Sikurse presim prej Amerikës qe të na ndihmojë me anëtarësimin në NATO.
Haradinaj komentoi zgjedhjen e Presidentit të ri të SHBA, Biden duke shprehur bindjen se me zgjedhjen e tij do të do të vazhdojë bashkëpunimi Shqipëri-Amerikë dhe Kosovë Amerikë.
Ora News: Zgjedhja e Presidentit Biden a mund të jetë një ogur i mirë për Kosovën?
Ramush Haradinaj për Ora News: Ne kemi pasur marrëveshje të mira me Presidentin Trump. I jam falënderues administratës Trump për disa punë p.sh çështja e ushtrisë së Kosovës. Ushtria nuk është pak, ngjarje shumë e madhe. Kemi dhe përkrahje të tjera. Nuk do të kishte ndodh Trepca, pa përkrahje të administratës, nuk do të ndodhte pavarësimi energjitik. Kësisoj dhe marrëveshja e 4 shtatorit. Njëkohësisht Presidenti Biden e njeh shumë mirë Kosovë. Një nga njerëzit e paktë që është mik i shqiptarëve. Jam i bindur që do të vazhdojë bashkëpunimi Shqipëri-Amerikë dhe Kosovë Amerikë.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online E.P