Mungesa e internetit, qytetarët në radhë prej dy orësh për kolaudimin e makinës
Radhë dhe orë të gjata në pritje, kjo ishte situata ditën e mërkurë në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Me maska por pa respektuar distancën fizike qytetarët u bënë grumbull për të shlyer detyrimet vjetore të automjeteve të tyre.
Situata shqetësuese dëshmon se urdhri i Komitetit Teknik i Ekspertëve për të mos lejuar grumbullimet mbi 10 persona është vështirë të zbatohet në kryeqytet.Të vetëdijshëm se duke qëndruar të shumtë në numër pranë njëri-tjetrit shkaktojnë përhapje të koronavirusit, qytetarët thonë se nuk kanë rrugëzgjidhje tjetër.
"Ka që në mëngjes që nuk punon sistemi. Paratë i duan, sistem nuk ka. Kam ardhur dy herë këtu, në rradhë si qen", shprehet një qytetar.
Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur të mos rinovojë kontratën për koncesionarin e kolaudimit të automjeteve.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se pas datës 1 janar mjetet do të përdoren nga drejtoria e transporteve, nderkohe qe Ministria e Infrastrukturës i ka kërkuar kompanisë koncesionare SGS që të transferojë në pronësi të shtetit Qendrat e Kontrollit Teknik të mjeteve si dhe të gjitha asetet e tjera të koncesionit për kolaudimin e makinave.
LEXO EDHE: Kolaudimin e merr shteti nga janari, Ministria njofton koncesionarin për dorëzimin e pajisjeve