Frikë nga spitalet Covid, bashkëshortja e pacientit: Më tha, "më mirë të vdes në shtëpi”
Shumë prej pacientëve me Covid-19 duan të shmangin në çdo lloj mënyre shtrimin në spital. Një qytetare tregon rastin e burrit të saj, i cili u fshihte gjendjen familjarëve, pikërisht për të mos shkuar në spitalet Covid. Ndërkohë një pjesë tjetër e qytetarëve me sëmundje të tjera po shmangin çdo ditë spitalet qendrore.
Nëse dikur qytetarët u drejtoheshin qendrave spitalore për shqetësimin më të vogël shëndetësor sot përpiqen tu qëndrojnë larg për shkak të frikës nga pandemia.
Madje dhe një pjesë e pacientëve me Covid që kanë nevojë për hospitalizim mundohen ta fshehin shqetësimin për të shmangur spitalet.
Bashkëshortja e njërit prej pacientëve të shtruar te "Shefqet Ndroqi" tregon rastin e burrit të saj.
"Është mirë me lënë një shoqërues për të sëmurin. Të sëmurët po asfiksohen nga frika, nga ankthi, nga depresioni. Kishte frikë. Mos më ço në spital tha, të vdes në shtëpi, se çfarë dëgjojmë nëpër televizione na ka kapur frika."
Një numër i lartë pacientësh zgjedhin mjekun e familjes për të kryer një vizitë apo për të marrë një shërbim shëndetësor, por gjithësesi thonë se u tremben grumbullimeve.
"Kemi frikë por ku je sëmurë duhet me ardh."
"Kemi frikë se çfarë nuk po dëgjojmë, tani dëgjuam që ka vdekur dhe një doktor. Edhe ne duhet të mbrohemi."
Respektimi i masave anti-Covid vlerësohet pozitivisht nga disa qytetarë, por ka edhe ankesa.
"Distanca nuk respektohet fare."
"Shumë mirë ishte."
Duke qenë se vëmendja është përqendruar te trajtimi i koronavirusit shumë sëmundje të tjera po lihen pas dore.
LEXONI EDHE: Nuk ndalen shifrat e larta nga Covidi, 656 raste të reja dhe 10 humbje jete në 24 orët e fundit