Përplasje për 3500 metër katrorë tokë, PD akuza Kryebashkiakut të Elbasanit: I fali privatit tokën publike
Dy punonjës të urbanistikës së bashkisë së Elbasanit janë detyruar të dorëhiqen pse nuk pranuan të firmosin kalimin e 3500 m2 tokë një kompanie private.
Këtë akuzë të re e ka bërë Partia Demokratike e këtij qyteti, e cila e quan këtë një aferë të madhe korruptive.
Sekretari i saj, Blendi Himçi, akuzon për këtë kreun e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, se ka detyruar punonjësit të firmosin vendimin.
"Kam dhe një pyetje tjetër Gledian, pse e detyrove përgjegjësen e sektorit të urbanistikës dhe juristen e sektorit të urbanistikës të japin dorëheqjen vetëm se nuk pranuan të firmosin këto dokumenta abuzivë?"
Në lidhje me akuzat e PD, Bashkia e Elbasanit nuk ka reaguar, por përmes një postimi në rrjetet sociale Partia Socialiste e Elbasanit thotë se ky është një projekt i cili ishte miratuar nga vetë ish-kryeministri Sali Berisha.
"Falë bashkëpunimit me sipërmarrjen marrim 5471m2 sipërfaqe godine dhe 1481 m2 sipërfaqe lulishte. I nderuar përfaqësues i PD i ke thënë gjë kryetarit tuaj që e keni miratuar ju kontratën që po kërkon dhe materialet e mbledhjes i keni edhe ju si ish-anëtar i Këshillit Bashkiak".
Partia Demokratike ka hedhur poshtë këto pretendime të Partisë Socialiste, duke thënë se në vitin 2016 ishte kryeministri Edi Rama që shfuqizoi projektin e mëparshëm.
Ndaj PD mendon ta denoncojë në prokurori këtë aferë.