Një vit nga tragjedia e tërmetit/ Ekspertizat vonuan hetimin për tërmetin, asnjë i dënuar për "fajin njerëzor"
Një vit pas fatkeqësisë së tërmetit me 51 viktima hetimet për pasojat e fakeqësisë nuk kanë përfunduar në pjesën me të madhe të prokurorive ndërkohë që personat e dyshuar që u arrestuan fillimisht kanë lënë të lirë. Përjashtim bën prokuroria e Durrësit, e cila ka dërguar në gjyq 16 persona ndërsa prokuroritë e tjera janë në vendnumëro. Vetëm një ditë para përvjetorit të ngjarjes, Prokuroria e Krujës ka njoftuar se po heton dëmtimet e një shkolle, duke futur në dosje një dokumet e disa dëshmi.
Një vjetori i tërmetit tragjik të 26 nëntorit po i gjen në liri të gjithë personat e akuzuar për shkeljen e rregullave të ndërtimit në objektet që u shembën duke shkaktuar viktima.
Menjëherë pas tragjedisë, prokuroritë e Tiranës, Durrësit Lezhës dhe ajo e Krujës nisën hetimet pas dyshimeve se banesat e dëmtuara ishin ngritur pa leje ose me leje, por në shkelje të rregullave duke u toleruar nga personat përgjegjës.
Prokuroritë e Tiranës dhe Durrësit firmosën dhjetra fletë-arreste ndërsa prokuroritë e tjera si ajo e Krujës, Lezhës apo dhe Laçit edhe 12 muaj pas kësaj tragjedie nuk kanë prerë asnjë fletë-arresti, ndërkohë që deklarojnë se hetimet janë ende në vijim.
Vetëm një ditë para 1 vjetorit të fatkeqësisë, Prokuroria e Krujës njoftoi se ka regjistruar procedim penal për dëmtimet e konstatuara në shkollën “Ramazan Jangozi” në njësinë administrative Thumanë.
Në kuadër të procedimit penal që mban numrin 772 për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" është administruar një dokument si dhe janë pyetur disa pesona në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.
Prokuroria e Krujës është në pritje edhe te akte-kspertimit teknik ndërtimor për dy pallatet e shëmbura, të cilat sipas banorëve ishin dëmtuar që nga tërmeti i shtatorit dhe ishin të pabanuara.
Edhe prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet për 14 pallatet e dëmtuara por deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar apo të proceduar.
E vetmja që ka përfunduar hetimit është prokuroria e Durrësit e cila dërgoi në gjykatë 16 të akuzuar, ndërsa Prokuroria e Tiranës nga 44 të proceduar ka dërguar në gjykatë vetëm një për ndërtim të paligjshëm, ndërsa ka pushuar akuzat për tre të tjerë.
Ndërkohë për 40 të dyshuar të tjerë, hetimi është në pritje të ekspertizave.