Durrësi një vit pas tërmetit/ Shumë banorë ende pa zgjidhje, gruaja: Falenderoj Zotin që më shpëtoi vajzën!
Shumë familje në Durrës, banesat e të cilave u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të një viti më parë nuk kanë riparuar banesat e tyre. Në lagjen 17 disa nga banorët nuk janë dakord me vlerësimin që u është bërë pasi me 5 milion lekë të vjetra që morën nuk mund të rikonstruktojnë shtëpinë. Le të ndjekim kronikën për të parë si është sot situata në qytetin bregdetar që u godit më shumë.
Nje vit pas pas tërmetit shkatërrimtar, Durrësi ende jeton me makthin që la mëngjesi i 26 nëntorit 2019.
Banorët e një prej zonave më të prekura kujtojnë tmerrin që kaluan, ndërsa kanë ende para syve pasojat që mbetën nga lëkundjet e forta.
"Për fat që mirë që nuk doli krevati jashtë, kam pas vajzën këtu dhe falenderoj Zotin që më shpëtoi vajza."
Në lagjen 17 të qytetit, pallatet ende vijojnë të jenë në gjendje të mjerueshme.
Banorët thonë se në fillim pallati doli DS4 i pabanueshëm, por më pas vlerësimi u ndryshua në DS3.
"I kam të filmuara dhe të firmosura që është nxjerrë DS4 dhe Bashkia na i ka dhënë lekët për DS3."
Pas plotësimit të dokumentave në Bashki, këta banorë do të fitonin 5 milion lekë për rikonstruksionin e shtëpisë, por për ta kjo shumë është e pamjaftueshme.
"Me këto 5 milion lekë, duhet të jap dhe 10 milion unë nga xhepi që kjo shtëpia e gocës time të përfundojë."
"Të vijë firma dhe ta rregullojë vetë siç e kam pasur."
"Bëhet kjo shtëpi me 5 milion lekë?Kjo do shembur komplet sepse ky mur pak ta shtysh bie vetë."
Disa të tjerë ende s'kanë marrë asgjë nga shteti dhe rikonstruksionin e shtëpisë e kanë bërë me paratë e tyre.
Ndaj edhe pse ndihma do të duhet tu ishte ofruar nga institucionet tashmë, këta banorë shtrojnë të njëjtën kërkesë të përsëritur prej muajsh të tërë.
"Kur e morëm vesh ato ishin mbyllur, u desh të rregullonim shtëpinë me lekët tona. Nuk kemi marrë asnjë lek nga shteti, as bonus qiraje."
Në lagjen 16 tërmeti shkaktoi tragjedi të madhe në familjen Lala duke u marrë jetën 8 anëtarëve dhe një tjetre si pasojë e shokut kur mësoi të vërtetën. I vetmi që shpëtoi ishte një 17 vjeçar.
Fqinji i tyre tregon se si i njihte.
"Shkonin dhe vinin në Itali. Vdiqën 8 veta, një vajzë deri vonë ishte gjallë. Vdiq dhe ajo."
Në Golem 1 vit pas tërmetit disa nga hotelet ku pati dhe viktima nuk janë më, duke i ndryshuar pamjen qytetit.
Bilanci i viktimave të tërmetit katastrofik që tronditi Shqipërinë i ndërpreu jetën 51 viktimave nga të cilët gjysma ishin vetëm në Durrës.