Elbasan: Pas Vis Korçarit edhe dy në pranga për përplasjen me armë, dy në kërkim
Pas Elvis Koçit, 28 vjeçarit të njohur edhe si Vis Korçari që u vu në pranga në Spitalin e Traumës ku shkoi të mjekojë plagët e marra në shkëmbimin e zjarrit mes dy grupeve në Elbasan, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të përfshirë.
Ata janë Feliks Filja dhe Ersi Cekani, të dy nga 21 vjeç, të cilët dyshohet se ishin pjesë e grupit që shkëmbeu zjarr në mes të qyetit.
Filja banues në Elbasan, akuzohet për veprat penale "Vrasje me dashje" e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje".
Ndërsa i riu tjetër banues në Librazhd, u ndalua për "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "Moskallëzim krimi".
Në kërkim ndërkohë është 25-vjeçari Migert Qosja, Armand Ceveli, të dy të akuzuar për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.
28 vjeçari Elvis Koçi i njohur edhe me mbiemrin Çaushllari, ndërkohë është marrë në pyetje në Spitalin e Traumës.
Burime për Ora News bëjnë me dije se në deklaratën e tij para oficerëve të Policisë, Çaushllari është shprehur se nuk ka konflikte me askënd.
Ai ka thënë se është sulmuar në mënyrë të papritur nga disa persona që nuk i njihte dhe i shihte për herë të parë.
Ngjarja u shënua rreth mesdites së të mërkurës, 25 nëntor 2020, në lagjen Emin Matraxhiu ku dy grupet e të rinjve derdhën plumba ndaj njeri tjetrit në mes të zonës së banuar duke rrezikuar edhe kalimtarët.
Policia e Elbasanit në një njoftim të parë foli për konflikt të çastit, por dyshimet janë se lidhet me përplasjen mes grupeve rivale në qytet
Ervis Çaushllari i njohur me nofkën "Vis korçari” , dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal në Elbasan dhe i dyshuar për përfshirje në disa ngjarje kriminale, por që kanë mbetur të paprovuara në gjykatë.
Ndërsa personat e tjerë nuk janë persona të njohur.
Lexo me shume: Dëshmia e Çaushllarit: Më sulmuan papritur