Skenaret si do të zhvillohet mësimi në shkollat 9 vjeçare dhe gjimnaze, publike e private
Ministrja e Arsimit Evis Kushi tregoi sot skenarin si do të zhvillohet mësimi në shkollat 9 vjeçare dhe në gjimnaze.
Skenari i mësimit të kombinuar do të nisë nga data 1 dhjetor 2020 deri në një vendim tjetër.
Sipas këtij udhëzuesi, shkollat do të kenë fleksibilitet në përzgjedhjen e varianteve të mësimit të kombinuar, në varësi të situatës së pandemisë, numrit të nxënësve, apo kushteve të tyre specifike, por gjithmonë duke ruajtur të gjitha rregullat higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik.
Çdo të premte shkollat në bashkëpunim edhe me njësitë vendore të kujdesit shëndetësor do të raportojnë në zyrat arsimore në lidhje me situatën e tyre dhe më pas MAS do të marrë vendim për çdo shkollë për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi .
Sipas këtij udhëzuesi:
- Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës - njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;
- Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:
- Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.
- Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.
- Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.
- Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online.
Në raste të veçanta, kur ka raporte mjekësore, apo me kërkesë të prindit, nxënësit mund ta zhvillojnë mësimin tërësisht online, duke kaluar nga një grup në tjetrin brenda klasës.
Për ato shkolla, publike apo private, në qytet apo fshat, ku numri i nxënësve nëpër klasa është i ulët dhe nuk ka raste të infektuarish me COVID-19, mund të vazhdojë të zbatohet skenari i parë, siç është në fuqi, natyrisht në zbatim të rregullave dhe protokolleve shëndetësore dhe me mirëkuptimin e prindërve.