Gjobat ndaj biznesit, Guxholli: Nëse nuk falen, të shtyhen. Buxheti 2021 elektoral, u kujtuan për rrugët në fushatë

Ekspertja e ekonomisë, Zana Guxholli, është optimiste se qeveria Rama do të ndërmarrë një amnisti për gjobat ndaj biznesit në prag të zgjedhjeve elektorale.

Por edhe nëse kjo nuk ndodh, ajo rekomandon që së paku të shtyhen në mënyrë që edhe biznesi të marrë frymë.

Për Ora News, ajo thotë se nuk është në interesin e qeverisë që të rritet numri i biznesve që mbyllen apo falimentojnë.

Guxholli: Normalisht gjobat falen, sa herë u duhen për efekte elektorale falja e gjobave është bërë. Nëse nuk bëhet falja, minimumi duhet bërë shtyrja e gjobave në këto kohë pandemie, në  vend që ti bësh presion dhe shantazh. Janë pambarim bizneset që mbyllen dhe falimentojnë. Duhet ti rrisim? Jo.Duhet të ndihmojmë bizneset të mbijetojnë. Një biznes i mbyllur nuk ngrihet më, edhe nëse ngrihet është shumë i dobët.

Duke analizuar buxheti 2021, ajo thotë se është tejet i fryrë dhe jashtë çdo parashikimi.

Guxholli: Këtu janë dy probleme madhore, një është mënyra si është projektuar ky buxhet që tashmë u aprovua. Ky buxhet nga të gjithë analistët ekonomike është cilësuar si një buxhet hiperoptimist, bazohet mbi një tkurrje ekonomike 6.1% kur tërë organizmat ndërkombëtarë e kanë parashikuar këtë tkurrje shumë më të madhe që nga BSH me 6.5%, FMN 7.5%, BB 8.4% dhe BERZH 9%. Duan të ardhura në buxhet ndaj harbojnë pas gjobave të bizneseve. Shifrat e fryra nuk do të kenë mundësi të realizojnë as objektivat që janë shpenzimet. E para është shëndetësia dhe së dyti ekonomia. Shuma që mendohet se do të mblidhet nuk është realja, do të jetë shumë më e vogël. FMN parashikon 500 mln më pak mbledhje të ardhurash.

Edhe pse në një situatë të tillë, nuk harrohen asnjëherë fondet për PPP-të.

Guxholli: Ndërkohë ka rritje shpenzimesh për PPP-të që janë shumë të kritikuara nga të gjithë organizmat ekonomike. Përdorimi i parasë publike duhet të jetë i përgjegjshëm, sidomos në këtë kohë pandemie duheshin stopuar. Për infrastrukturën 78 vjet nuk bëri asgjë, erdhi viti elektoral… Ky është dhe një buxhet elektoral që rëndon mbi supet e taksapaguesve, qytetarëve dhe ekonomisë. Inceneratorët janë shumë të shtrenjtë për xhepat e shqiptarëve. Duhet të mos ishin bërë fare. Edhe nëse do të ishin bërë me koncesion, duhej gjetur një mënyrë tjetër më ekonomike dhe më miqësore ndaj ambjentit.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana