Tregtia e jashtme nuk po merr veten nga goditja e pandemisë
Goditja që mori tregtia për shkak të kufizimeve për të penguar përhapjen e pandemisë nuk po e lejojnë atë që t’i rikthehet normalitetit.
Referuar të dhënave të INSTAT, eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me 0,9 % krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë një sinjal shprese për rimëkëmbje japin të dhënat krahasuar me muajin shtator, ku raportohet rritje me 6%.
Efektin më të më madh në këtë rënie e kanë dhënë eksportet për mineralet me 5% dhe fasoneritë me 2.1%.
Nga ana tjetër, importet e kanë ndjerë më pak krizën pasi krahasuar me një vit më parë kanë shënuar një rënie të lehtë prej 0.01% ndërkohë që krahasuar me një muaj më parë janë rritur me 13.1%.
Si rrjedhojë e performancës negative të mars-gusht, për 10 mujorin, kjo krizë është akoma më e thellë pasi eksportet e mallrave arritën vlerën 221 miliard lekëve, duke u ulur me 12,2 %, krahasuar me dhjetëmujorin e vitit të shkuar, ndërsa importet u tkurrën me 9.7%.
INSTAT bën me dije se deficiti tregtar përgjatë muajit tetor arrit 33 miliard lekë në rritje me 0,8 % krahasuar me Tetorin e vitit 2019.
Vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve janë Gjermania, Greqia dhe Kosova ndërsa uljen më të madhe e ka patur me Spanjën, Kinën dhe Italinë.