KLSH: 63% e kontratave jashtë afatit ligjor, Ministria e Financave nuk ka kontroll mbi detyrimet e prapambetura
Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit është konstatuar se gjatë vitit 2019 janë regjistruar 63% e kontratave jashtë afatit ligjor. Kreu i këtij institucioni, Arben Shehu, u shpreh se rritja e stokut të detyrimeve të prapambetura është gjithashtu një problem.
63% e kontratave nga institucionet janë regjistruar në shkelje të afateve ligjore.
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, në prezantimin e raportit të vitit 2019 në Komisionin e Ekonomisë deklaroi se ky ishte një problem i ndeshur gjatë verifikimeve.
Shehu: Fenomeni i regjistrimit me vonesë i kontratave të lidhura nga institucionet vendore vazhdon të jetë i përhapur edhe gjatë vitit 2019 konstatuar me 18024 me vlerë prej 98.3 miliard lekë ose 63% e të gjithë kontratave të regjistruara. Duhet të bëjmë përpjekje që konstatimet e KLSH të zbatohen në mënyrë që raportet tona të jenë efektive.
Kontratat e lidhura me vlera më të larta se fondi i disponueshëm ishte një tjetër shqetësim.
Shehu: U konstatuan veprime jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, përfshirë marrjen e angazhimeve buxhetore pa pasur në dispozicion fondet buxhetore të cilat paraqesin një risk të shtuar në cënimin e paqëndrueshmërisë së borxhit publik.
Një tjetër problematikë ishte dhe rritja e stokut të detyrimeve, sidomos atyre për vendime gjyqësore.
Shehu: Krijimi i detyrimeve të prapambetura është një fenomen në rritje si pasojë e thyerjes në vazhdimësi të procedurave miratuese, të angazhimeve buxhetore dhe mungesës së kontrollove dhe masave në regjistrimin e dokumentave dhe transaksioneve përkatëse.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se Ministria e Financave nuk ka kontroll mbi detyrimet e prapambetura .