Ndryshon Buxheti/ qeveria mendon për vaksinën anticovid dhe pagesën e naftëtarëve
Qeveria ka parashikuar një shtesë fondi të posaçme për sigurimin e vaksinave anti-Covid, por dhe për përballimin e pandemisë. Kërkesat janë miratuar në Komisionin e Ekonomisë, ku një buxhet i posaçëm do të kalojë për pagesën e naftëtarëve të grevës së urisë.
Covid 19 ka detyruar qeverinë shqiptare të shtojë buxhetin për vitin 2021.
Në Komisionin e Ekonomisë është bërë e ditur se do të ketë dy fonde të posaçme, për përballimin e pandemisë dhe për sigurimin e vaksinave.
"Vaksina ka 1.5 miliard të tjera, e kemi futur, janë pjesë e buxhetit. Medikamentet e Covid, mund tu sqaroj se shuma prej 1.2 miliard lekësh erdhi si vlerësim nga Ministria e Shëndetësisë."
Greva e urisë së naftëtarëve është parë me shqetësim dhe nga deputetët që kanë kërkuar një fond të posaçëm për ta.
Anastas Angjeli: 560 milion aq do të vendoset, ata do të marrin të gjithë shpërblimin që ka thënë Kryeministri.
Ndërkaq alarmi nga përmbytjet ka bërë që të rishikohen fondet për digat.
"Kemi alokuar një sasi të caktuar parash, projektin e BERZH për garancitë e fermerëve dhe mendojmë se ky projekt ecën ngadalë dhe ka mundësi që të rialokojmë për digat dhe për problematikën që ka Ministria e Bujqësisë me përmbytjen, rreth 150 milion."
Projektbuxheti do të duhet të kalojë tashmë në votim në seancë parlamentare, për të nisur zbatimin nga data 1 janar.