BE gati 200 mln euro per Shqipërinë: Rehabilitimi i HEC Fierzë e ndërtimi i bypass-i i Tiranës

Shqipëria siguroi investimin për dy projekte infrastrukturore në Samitin e Sofjes, i cili u bashkëorganizua nga Maqedonia Veriore dhe Bullgaria.

Rehabilitimi i HEC Fierza
Projekti i parë është rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës. Vlera totale e investimit arrin në 42.7 milionë euro, prej të cilave, 8.4 milionë do të financohen nga Bashkimi Europian, 27.2 milionë euro nga banka KfW dhe 7.1 milionë euro do të investohen nga qeveria shqiptare.

Fierza është hidrocentrali më i madh i Shqipërisë dhe ky projekt merr një rëndësi të veçantë pasi vendi siguron nga HEC-et, 60 për qind të energjisë elektrike për konsum.

Rehabilitimi i këtij hidrocentrali ndërtuar 40 vjet më parë në kaskadën e lumit Drin, do të sjellë rritjen e efikasitetit me 4 për qind në vit, do të ulë kostot e mirëmbajtjes falë instalimit të pajisjeve të teknologjisë së lartë dhe do të ndihmojë për reduktimin e emetimit të dyoksidit të karbonit me 25 mijë tonë në vit.

Projekti i rehabilitimit që do të fillojë në vitin 2021 dhe që pritet të përfundojë në vitin 2026, do të krijojë drejtpërdrejt mbi 50 vende të reja pune. Investimi i parashikuar do të realizojë zëvendësimin e katër gjeneratorëve, dy turbinave dhe rrjetin elektromekanik.

Bypass Tirane
Projekti i dytë është ndërtimi bypass-it të Tiranës. Kjo rrugë ka një gjatësi prej 21.5 km dhe sipas përshkrimit të projektit, aksi kalon në zonën më të populluar të Shqipërisë, duke lidhur dy autostrada ekzistuese, atë Tiranë – Durrës dhe Tiranë – Elbasan.

Ndërtimi i këtij aksi synon të reduktojë trafikun brenda në Tiranë, reduktimin e ndotjes dhe të aksidenteve. Rruga në fjalë ndodhet në fazën e projektimit dhe përcaktimit të ndikimit mjedisor dhe shoqëror.

Projekti me vlerë totale prej 150.9 milionë euro do të bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian që do të japë për të 31.9 milionë euro, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim me 109.2 milionë euro, qeveria shqiptare me 7.3 milionë euro dhe 2.5 milionë euro do të jepen nga grantet e ndihmës teknike të BE-së.

Ndërtimi i Bypass-it të Tiranës pritet të fillojë në vitin 2021 dhe parashikohet të përfundojë brenda vitit 2023.

Në të mund të udhëtohet me një shpejtësi prej 100 deri në 120 km/h. Nga ndërtimi i këtij aksi rrugor do të krijohen drejtpërdrejt 250 vende të reja pune.