Përdorni kartat për pagesat! Shoqata Shqiptare e Bankave fushatë për evitimin e parasë fizike
Shoqata Shqiptare e Bankave nis fushatën e ndërgjegjësimit "Ftillohu" për nxitjen e përdorimit të kartave si mjet pagese me qëllim evitimin e parasë cash.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës, Spiro Brumbulli, tha se fushata ka 5 pikësynime kryesore.
Brumbulli: Së pari, duam të ndërgjegjësojmë të gjithë kartë mbajtësit që të përdorin sa më shumë kartën e tyre për pagesa në POS. Mesazhi ynë është: mos mbaj cash, përdor kartën!
Së dyti, siç edhe shifrat treguan, të bëjmë të ditur te të gjithë mbajtësit e kartave të debitit se kjo kartë nuk është thjesht karta e pagës, d.m.th. të tërheqësh pagën nga ATM, por me këtë kartë mund të paguash njësoj si me kartën e kreditit, në çdo blerje, pagesë shërbimi apo blerje online (në internet). Dhe nuk ke asnjë komision!
Së treti, të paguash me kartë është komoditet, është siguri, është shpejtësi, është kursim. Bankat te ne nuk ngarkojnë me komisione kartë mbajtësin në transaksionet e paguara me kartë në pikat e shitjes POS brenda vendit.
Së katërti, duke qenë edhe të ndikuar nga efektet e mbylljes dhe kufizimeve nga covid-19, të përdorim më shumë blerjet online. Duhet theksuar se që nga muaji mars është vënë re një ndryshim në sjelljen konsumatore, ku shifrat tregojnë për një rritje të përdorimit të kartave në online. Mesazhi ynë është: ruaj shëndetin, bli me kartë!
Së pesti, sidomos tani me cilësimin në kartë PaKontakt, përveç ruajtjes së shëndetit, ka edhe më eficencë në kryerjen e çdo pagese, edhe të atyre në shuma të vogla. Një tjetër komoditet ky që u vjen në ndihmë gjithë përdoruesve për çfarëdo lloj pagese.
Për këtë qëllim kërkohet nga institucionet dhe autoritetet përkatëse rregullimet e nevojshme që të ofrohen dy mënyra pagese.

Brumbulli: Ne duhet të kapërcejmë patjetër fazën ku ndodhemi sot që paraja fizike mbizotëron si mjet i pagesës.
Kjo fushatë ndërgjegjësimi do të ketë një kohëzgjatje prej dy muajsh dhe sponsorizohet nga mastercard.