Kujdes nga PPP-të! Banka e Shqipërisë: Të përdoren për investime publike
Banka e Shqipërisë i sugjeron qeverisë të vendosë një kufi mbi vlerën e kontratave të koncesioneve.
Në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin 2021, zëvëndësguvernatorja e parë Luljeta Minxhozi theksoi se projektet e reja duhet të jenë brenda një kornize që kanë në prioritet investimet publike.
Minxhozi: Banka e Shqipërisë sugjeron vlerësimin e mundësisë së përfshirjes së një kufiri të sipërm të përgjithshëm mbi vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit. Po ashtu, gjejmë me vend të theksojmë që projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize, e cila mundëson prioritizimin e investimeve publike.
Bazuar në rreziqet e larta ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia, Banka e Shqipërisë ka kërkuar të tregohet kujdes në shpenzime.
Minxhozi: Po ashtu, pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta të kahut të poshtëm mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave. Për këtë arsye, ndonëse Projektbuxheti ka kontingjenca për amortizimin e tyre, Banka e Shqipërisë gjykon se realizimi i shpenzimeve të programuara duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave.
Në opinionin e Bankës së Shqipërisë, borxhi publik vijon të jetë i lartë, pavarësisht objektivave të vendosur nga qeveria shqiptare.