Edhe një muaj kohë për Kushtetuesen, ambasadorja Kim: Deri në fund të vitit duhet të jetë funksionale
Ambasadorja amerikane Yuri Kim kërkon sërish nga Presidenti dhe Parlamenti që të nxitojnë për të bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese deri në fund të këtij viti. Diplomatja amerikane përshendet reagimin e shpejtë të këtyre dy institucioneve pasi publikuan publikuan listat e kandidatëve. Por në fund të postimit të saj në twitter, Yuri Kim apelon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi që të bëjnë vlerësimin e kandidatëve. Bërja e Kushtetueses deri në fund të dhjetorit, sipas SHBA-së, është e domosdoshme.
Ambasadorja amerikane i ka rënë sërish gongut për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti, sikundër dhe është shpallur objektivi nga të gjitha palët.
Duke risjellë në vëmendje një postim të saj me 19 nëntor, pasi Presidenca dhe Parlamenti publikuan listat e tyre përkatëse të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Yuri Kim shkruan në twitter se "do të ishte mirë që Gjykata Kushtetuese të ngrihej deri në fund të këtij viti."
Diplomatja amerikane kujton se kanë mbetur edhe 6 javë, ndaj kërkon nga Presidenca, Parlamenti dhe institucionet e drejtësisë të vijojnë punën me urgjencë.
"Faleminderit KED për sigurimin e kandidatëve të kualifikuar. Udhëheqësit duhet të përmbushin premtimin për drejtësi për qytetarët e Shqipërisë".