Çifti i ndarë, tregti droge në Lezhë/ Kapen 1.2 kg kokainë, pranga gruas, ish-burri arratiset

Një çift i ndarë me dokumenta, duket se ishte bërë sërish bashkë për shpërndarjen e lëndëve narkotike në Lezhë ku u kapën 1.2 kilogram kokainë.  Gruaja u vu në pranga, ndërsa burri është arratisur. Tentativa e gruas për të fshehur drogën në një lavatriçe, ka ngjallur dyshime se operacioni është dekonspiruar.

1.2 kilogram kokainë u kapën në Lezhës, gjatë një operacioni që vuri në pranga një grua dhe u shpall në kërkim ish bashkëshorti i saj.

Policia sipas burimeve kishte informacion se servisi në pronësi të Dodë Markvukajt, 52 vjeç përdorej si bazë për tregtimin e lëndëve të forta narkotike, ndaj edhe ka ushtruar kontrolle aty.

Por kur blutë ndërhynë, aty gjetën vetëm Vera Prekën e cika kishte përshtatur një dhomë si banesë, pasi zyrtarisht figuron e ndarë nga ish bashkëshorti Markvukaj.

Kokaina e ndarë në dy pako u gjet e fshehur në një lavatriçe që në atë moment ishte në punë, kjo dyshohet se ka qenë një lëvizje e gruas për të fshehur lëndën narkotike.

Dyshimet janë se 50-vjeçarja, Vera Preka, kishte marrë sinjalizim për kontrllin e policisë dhe e kishte futur drogën në lavatriçe.

Ndërsa Dodë Markvukajt nuk u gjet në banesën e tij ku duhet të ishte me masën e sigurisë “arrest shtëpie” të dhënë më herët për shitje të lëndëve narkotike!

Dyshimet e policisë janë cifti i bashkëshortëve përdorte servisin si bazë për shpërndarjen e drogës me sasi të vogla, ndaj policia e Lezhës thotë se ende po vijon hetimet për të zbuluar nëse ka edhe personma të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.