Pacientët ankohen se spitali i Korçës nuk ofron dializën prej 4 ditësh, mjeku: Kontakte të një personi me Covid, janë turn i tretë

Përqëndrimi i të gjithë vëmendjes dhe energjive të sistemit shëndetësor te pandemia e koronavirusit po lë jashtë vëmendjes pacientët me sëmundje të tjera.

Kështu pacientët në qendrën e dializës në spitalin rajonal të Korçës bëjnë apel për ndihmë pasi ka katër ditë që nuk u bëhet dializa.

Pacientët ndodhen në ambientet e jashtme të pavionit të shqetësuar dhe shprehen se ndihen të kërcënuar për jetën.

Po mjeku nefrolog në spitalin e Korçës, Gentian Begolli,  thotë se pacientët në fjalë kanë rënë në kontakt me një person pozitiv me Covid.

"Pacientët e tjerë te dyshuar i kemi lënë turn të tretë, kemi sakrifikuar personelin tonë me lodhje të tejskajshme. Kurse për rastin sot në fjalë, personat kanë rënë në kontakt me një pacient që ka rezultuar me tampon pozitiv dhe për të ruajtur këta pacientë që kanë qenë në kontakt me këtë person dhe për të ruajtur edhe pacientët e tjerë që kemi në sallë, ne vendosëm që këta pacientë ti vendosim në turnin e tretë. Kanë qenë në dijeni që dje, i kemi kontaktuar personalisht. Shërbimi u është ofruar dhe do tu ofrohet".

Të njëjtën gjë konfirmon edhe Shërbimi i hemodializës, sipas të cilit  ky shërbim nuk është ndërprerë për asnjë moment, për asnjë pacient.

 "Lidhur me ankesën në fjalë, këta pacientë duke qenë se kanë pasur kontakt me pacient Covid-19 pozitiv, i është komunikuar që seancat e radhës do zhvillohen turn i tretë (18:00 – 22:00), duke iu referuar protokolleve mjekësore për këto raste".