Hungaria, Polonia veto buxhetit të BE-së, bllokohen 9 mld euro për Ballkanin

Hungaria dhe Polonia bllokuan me veto buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian prej rreth 1.8 trilion eurosh për shkak të një klauzole që i lidh fondet me zbatimin e standardeve të shtetit ligjor. Bashkimi Evropian ka filluar procedurat e hetimit për të dy vendet për shkak të nismave ligjore që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Hungaria dhe Polonia kanë bllokuar me veto miratimin e buxhetit të ardhshëm të Bashkimit Evropian për shkak të klauzolës që i detyron vendet anëtare të respektojnë shtetin ligjor.

Përveç buxhetit financiar për periudhën 2021-2027, pakoja përmban edhe fondin e rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë së koronavirusit prej 750 miliardë eurosh.

Mosmiratimi i buxhetit për periudhën 2021-2027 ngre probleme edhe për dhënien pakos financiare prej 9 miliardë eurosh që Bashkimi Europian ka premtuar për projekte infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor. Një pjesë e këtyre fondeve i janë premtuar Shqipërisë për të vazhduar axhendën e konektivitetit.

Takimi i ambasadorëve të 27 vendeve anëtare e pati të pamundur t’i ndezë dritën e gjelbër pakos sepse dy vendet, Hungaria dhe Polonia përdorën të drejtën e tyre të vetos.

Prej kohësh Bashkimi Evropian ka kritikuar Hungarinë dhe Poloninë për shkeljen e standardeve demokratike që përshkruhen në traktatet evropiane. Gjithashtu Komisioni ka filluar procedurat e hetimit për të dy vendet për shkak të nismave ligjore që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit, medieve dhe të organizatave joqeveritare.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord paraprakisht që buxheti për periudhën 2021-2027 të jetë 1.1 trilion euro plus 750 miliardë për pakon e rimëkëmbjes.

Ambasadorët e Polonisë dhe Hungarisë bllokuan me veto klauzolën që lidhin dhënien e fondeve me respektimi e standardeve të shtetit ligjor, që duan shumicë të cilësuar. Ndërsa buxheti dhe pakoja e rindërtimit duhet të votohen me unanimitet.